Lajme

Thellohet deficiti tregtar i Kosovës, hendeku mes importit dhe eksportit mbetet i madh


Ilustrim

Hendeku mes importit dhe eksportit të Kosovës vazhdon të jetë i madh.

Madje deficiti tregtar vetëm sa është thelluar në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Shtatori ka shënuar rritje të deficitit, bazuar në të dhënat e ASK, që ka publikuar Statistikat e Tregtisë së Jashtme.

“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 43.1% në muajin shtator 2021, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2020, gjegjësisht në vlerë prej 351.3 milionë euro,  krahasuar me deficitin 245.5 milionë euro në vitin 2020”.

“Eksporti mbulon importin me 16.5%”, thuhet në raportin e ASK-së.

Ndërsa nëse e krahasojmë me euro eksportin dhe importin, ky i fundit shkon në shifra shumë të larta.

Kurse, eksporti i mallrave për muajin shtator të vitit 2021 kishte vlerën 69.3 milionë euro në raport me 420.6 milionë euro import në mallra.

Pjesën më të madhe të eksportit të mallrave përben nga metali.

Punimi i metalit

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 29.4% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 24.4% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 9.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7.9% e përbëjnë produktet bimore; 7.2% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.9% e përbëjnë produktet minerale; 3.3% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj”, thuhet në raport.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.3% e përbëjnë mjetet e transportit; 13.1% e përbëjnë produktet minerale; 12.4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.2%.

Sipas të dhënave të ASK-së eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian kanë arritur vlerën e 19.3 milionë euro ose 28.0 % e eksporteve të përgjithshme.

Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë Gjermania (8.6%), Italia (5.8%), Holanda (2.4%), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 158.0 milion euro, ose 37.6% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 34.7%.

Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.4%), Greqia (4.2%), Sllovenia (4.0%), Italia (3.9%), etj.

Ndërsa, Kosova në vendet e CEFTA-së, eksporton më shumë mallra prin Shqipëria (14.2%), pastaj Maqedonia e Veriut (10.8%), Serbia (4.8%), dhe Mali i Zi (3.0%).

Ndërsa, në muajin shtator importet e Kosovës arritën në vlerën 78.8 milionë euro ose 18.7 % të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 26.1%.

Ndërkaq eksportet e Kosovës në vendet tjera të botës arritën në 26.5 milionë euro ose 38.2%

Partnerë kryesorë për eksport mbeten: SHBA (19.2%), dhe Zvicra (6.6%).

Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 183.8 milion Euro, ose 43.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (11.0%) dhe SHBA (10.9%).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore