Lajme

Tesla e Elon Musk nuk është më shitësi më i madh në botë i makinave elektrike


Pozicionit të Tesla-s si kompania me më shumë shitje në tregun e automjeteve elektrike po i vjen fundi.

Kjo, sipas shifrave të shitjeve të publikuara këtë javë nga prodhuesi kinez i automobilave BYD i mbështetur nga Warren Buffett

BYD zbuloi se shiti 641 mijë 350 automjete elektrike në gjashtë muajt e parë të vitit 2022, sipas një depozitimi të kompanisë.

Kjo shifër e shitjeve shënoi një rritje prej rreth 314% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas njoftimit, BYD shiti më shumë se 134 mijë automjete vetëm në qershor.

Për krahasim, Tesla e Elon Musk shiti 564, mijë e 743 automjete gjatë gjysmës së parë të vitit 2022 – një periudhë e trazuar në të cilën kompania u përpoq të kapërcejë një mbyllje të gjatë në një fabrikë kryesore të prodhimit në Shangai dhe ndërprerje të tjera të lidhura me zinxhirin e furnizimit.

Konglomerati i Buffett “Berkshire Hathaway” mbante 7.7% të aksioneve në BYD që nga prilli, me vlerë më shumë se 9 miliardë dollarë. Kompania shpenzoi 232 milionë dollarë për të blerë aksionet e saj fillestare në firmën kineze në 2008.

Musk tha në maj se ai priste që disa “kompani shumë të forta” të dilnin nga Kina dhe të siguronin konkurrencë të fortë për Teslën në sektorin e automjeteve elektrike në vitet në vijim.

Megjithatë, shefi i Tesla-s dhe njeriu më i pasur në botë ishte shpërfillës në një intervistë të vitit 2011 kur u pyet për produktin e BYD.

“A e keni parë makinën e tyre? Unë nuk mendoj se ata kanë një produkt të shkëlqyeshëm. Nuk mendoj se është tërheqëse, teknologjia nuk është shumë e fortë”, tha Musk për Bloomberg në atë kohë.

Tensionet midis Musk dhe BYD dukej se ishin ftohur që nga qershori. Një nga drejtuesit më të lartë të firmës kineze e përshkroi Musk si një “mik të mirë” dhe tha se “shumë shpejt” BYD do të furnizonte firmën me bateri.

Si automjetet elektrike me bateri të plota të BYD-së, ashtu edhe hibridet plug-in konsiderohen makina “me emetim zero” sipas standardeve të industrisë së Kinës, raportoi Financial Times.

Hibridet përdorin bateri elektrike, si dhe motorë shtesë dhe burime tradicionale të karburantit.

Nga 641 mijë e 350 automjete të shitura nga BYD gjatë gjysmës së parë të vitit, më shumë se 314 mijë ishin hibride. Nga ana tjetër, të gjitha nga 564 mijë e 743 makinat e shitura të Teslës ishin automjete totalisht elektrike– që do të thotë se Musk ende udhëheq botën me këtë masë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore