Lajme

Takimet në qendër


Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar në Bruksel me Zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator i palës kosovare në dialogun me Serbinë.

Këtë e ka bërë të ditur Lajçak, përmes një cicërime në Twitter.

“Patëm një diskutim të gjatë dhe të detajuar me Besnik Bislimin sot në Bruksel për gjendjen e tanishme dhe hapat e ardhshëm në dialog”, ka shkruar Lajçak.

Një javë pas akordimit për udhërrëfyesin për Marrëveshjen për Energjinë Elektrike mes Kosovës e Serbisë në Bruksel (21 qershor), Miroslav Lajçak, ndërmjetësuesi i deleguar i dialogut mes dy shteteve nga Bashkimi Evropian, kishte vizituar Kosovën.

Lajçak kishte ardhur me 27 qershor, me agjendë të ngjeshur, pasi përveç takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ai është takuar edhe me gjithë liderët e partive opozitare.

Nga paralajmërimet për një takim në muajin korrik, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksander Vuçiç akoma nuk ka dalur diçka zyrtare.

Qeveria e Kosovës nuk e ka përjashtuar mundësinë që ky takim të zhvillohet në pjesën e dytë të muajit korrik, ani pse janë në pritje të ftesës për takim.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Rozafa Kelmendi, në një prononcim për agjencinë e lajmeve KosovaPress ishte shprehur se mundësitë që takimet të zhvillohen janë folur, por që kjo varet nga ndërmjetësuesit.

Më 6 korrik, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se nuk do të ketë takim mes tij e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel, para fillimit të pushimeve të verës, ashtu siç ishte njoftuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore