Lajme

Vuçiç: S’do ketë takim me Kurtin në Bruksel


Kurti, Vucic e Lajcak ne darken jo formale ne Bruksel

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se nuk do të ketë takim mes tij e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel, para fillimit të pushimeve të verës, ashtu siç ishte njoftuar.

Ishte emisari i Dialogut Kosovës – Serbi nga Bashkimi Evropian, Miroslav Lajçak, ai që pati paralajmëruar një takim mes dy liderëve, por kjo është mohuar nga Vuçiç, shkruan agjencia serbe e lajmeve Tanjug.

“Nuk është e vërtetë (se do të takohemi), as që më ka pyetur dikush”, deklaroi ai.

Më pas ka shtuar se “unë nuk ik nga asnjë takim, kryesisht ai (Kurti) ka ikur nga takimet, unë nuk ik nga takimet”.

Nga Qeveria e Kosovës ende nuk ka ndonjë njoftim rreth këtij zhvillimi.

Kurti e Vuçiç për herë të parë në Bruksel ishin takuar kokë më kokë me 15 qershor vitin e kaluar.

Para takimit trepalësh, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe Lajçak, patën takuar veç e veç të dy përfaqësuesit shtetërorë.

Kurti në Bruksel kishte udhëtuar me zëvendëskryeministrin e vendit, Besnik Bislimi.

Takimi mes Kurtit e Vucic ne Bruksel ne kuader te dialogut

Ndërkohë në seancën plenare të 11 qershorit në Kuvendin e Kosovës, Kurti pati pohuar se mungesa e afateve kohore e ka dëmtuar procesin e dialogut.

Para fillimit të takimit Kurti – Vuçiç, Borrell kishte deklaruar se këto bisedime nuk janë të lehta, por janë të domosdoshme për të ardhmen e të dy vendeve.

Para takimit, nga Qeveria e Kosovës kishin njoftuar se kryeministri i Kosovës në takim do të paraqesë “vizionin dhe qëndrimet e tij dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës”, për një dialog që “duhet të jetë parimor dhe i drejtë, në shërbim të popujve të të dy vendeve dhe i shkëputur nga ai i kaluari”.

Takimi i dytë mes Kurtit e Vuçiç në Bruksel kishte ndodhur menjëherë muajin e ardhshëm të të njëjtit vit.

Ndërsa në këtë vit, pati ndodhur edhe takimi në darkën jo formale me 5 maj në Berlin.

Takimi ishte bërë i ditur për media përmes një fotografie, ku bashkë me Lajçak kishin darkuar në një rezidencë shtetërore të Gjermanisë.

Takimi pati ndodhur pasi paraprakisht Kurti e Vuçiç veç e veç ishin takuar me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore