Lajme

Takim mes ministrave të Jashtëm të BE-së, diskutojnë edhe për “marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”


Bashkimi Evropian

Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian të hënën në një takim në Bruksel do të diskutojnë për Ballkanin Perëndimor, në radhë të parë situatën në Bosnje dhe Hercegovinë dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Siç ishte paralajmëruar edhe më parë nga presidenca sllovene e BE-së, Ballkani Perëndimor është një nga temat në fokus të seancës së Këshillit të BE-së për Punë të Jashtme, e cila do të drejtohet nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Një zyrtar i lartë i Unionit, i paidentifikuar, deklaroi se ministrat e BE-së do ta diskutojnë dokumentin që Boreli do t’ua dorëzojë në mënyrë të plotë dhe të hapur, sepse nuk pritet të nxjerrin konkluzione për këtë.

Një dokument i hartuar nga zyrtarët e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), siç shihet nga gazetarët, paralajmëron se situata politike në Ballkanin Perëndimor ka qenë “e mbushur me sfida në rritje” muajt e fundit, me një krizë serioze politike të thelluar në BeH dhe tensione në Veriun e Kosovës, si dhe përçarjet ndërpartiake në Mal të Zi që “paralizojnë sistemin politik” në atë vend.

Në takim duhet të marrë pjesë edhe komisioneri evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, i cili këtë javë do të ketë bisedime me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin si dhe me ministrat e jashtëm të Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Për të hëmëm është paralajmëruar takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikolla Selakoviç dhe shefin e diplomacisë malazeze, Gjorgje Raduloviç.

Ndërkaq Raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi do të mbahet më 16 nëntor.

Në takimin që do të mbahet në Bruksel, Kosova do të përfaqësohet nga zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, kurse Serbia nga drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e saj, Petar Petkoviç.

“Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, do të marrë pjesë në takimin e paraparë për datën 16 nëntor 2021 në Bruksel në nivel kryenegociatorësh”, tha Kyeziu.

“Temat e diskutimit në takimin bilateral do të jenë çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, e energjisë dhe lëvizja e lirë”, ka shtuar ai.

Të mërkurën edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, e ka konfirmuar takimin mes palës kosovare dhe asaj serbe.

“Më 16 nëntor të vitit 2021, pritet të zhvillohet raundi i ri i takimeve të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, ku pritet të diskutohen zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani, çështjet e hapura dhe rruga përpara në dialog”, theksoi Stano.

Zyrtarët e BE-së, nuk e kanë komentuar deklaratën e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili ka thënë se, Kosova do të formojë Asociacionin ashtu siç është negociuar në Bruksel, ose “faleminderit, ju punën tuaj, ne punën tonë, ndoshta takohemi një ditë”.

“Nuk komentojmë prononcimet dhe komentet e ndryshme. Në vend të deklaratave të tilla jemi të fokusuar në arritje të rezultateve dhe të përballemi me çështjet duke punuar me mund”, ka thënë Stano.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore