Lajme

“Takim Kurti – Vuçiç i vështirë, i radhës në shtator”


Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se atmosfera në takimin e së hënës midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ishte “e tensionuar”.

“Takimi ishte i vështirë dhe tregoi qasje shumë të ndryshme ndaj normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Për pasojë, sot kemi bërë shumë pak përparim. Janë diskutuar disa propozime konkrete, por rezultati i vetëm që mund të raportoj sot është se dialogu do të vazhdojë”, tha Lajçak pas takimit për REL.

Ai konfirmoi se ekipet negociuese do të takohen në fund të gushtit dhe se takimi i ardhshëm i udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë do të mbahet në shtator.

Kryeministri i Kosovës, Kurti, tha pas takimit se ai ka propozuar një deklaratë të paqes midis Kosovës dhe Serbisë, por, sipas tij, ajo u refuzua “ende pa u lexuar”.

“Për mua, kjo tregon mosgatishmërinë për marrëveshje, meqenëse u refuzua pa u lexuar fare”, tha Kurti.

Vuçiç, në anën tjetër, tha se pala kosovare gjithmonë kushtëzon me “kritere të reja politike”.

Ky takim ishte i dyti mes Kurtit dhe Vuçiç-it në kuadër të dialogut në Bruksel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore