Lajme

Sulmet në Paris: Hapet gjyqi historik i 20 të dyshuarve në Francë


Një gjyq historik ka filluar në Francë, të mërkurën e 8 shtatorit, mbi sulmet e Parisit në vitin 2015, të cilat lanë 130 të vdekur.

Sulmi dhe bombardimet nga ekstremistët e grupit Shteti Islamik (IS) ishin mizoria më e keqe e pas Luftës së Dytë Botërore në Francë. Sulmuesi i vetëm i mbijetuar, Salah Abdeslam, është në gjyq me 13 të pandehur të tjerë.

Gjyqi po përshkruhet si më i madhi në historinë moderne të Francës.

Gjatë nëntë muajve të ardhshëm, do të ketë mbi 140 ditë seanca që përfshijnë rreth 330 avokatë dhe 1 mijë e 800 të mbijetuar dhe të afërm të viktimave. Rreth 300 dëshmitarë do të dëgjohen, përfshirë François Hollande, presidenti francez në kohën e sulmeve.

Përpara gjyqit, Hollande u tha mediave franceze se ky ishte një moment i rëndësishëm për viktimat e sulmeve, të cilat ai i përshkroi si një “akt lufte” në atë kohë.

IS-i pranoi se kishte kryer sulmet në sallën e koncerteve Bataclan, një stadium i madh, restorante dhe bare më 13 nëntor 2015.

Të dyshuarit mbërritën në gjykatë me automjete policie nën masa të rrepta sigurie të mërkurën në mëngjes. Ata ishin ulur në vendin e të pandehurve, të veshur me maska, para se të fillonte gjykimi.

Një i mbijetuar i sulmit tha se donte të dëgjonte sesi viktimat e tjera po përballeshin që nga sulmet, por nuk priste që i akuzuari të fliste.

Nga 20 të dyshuarit në gjyq, gjashtë po gjykohen në mungesë. Ata përballen me akuza për vrasje, bashkëpunim dhe komplot terrorist.

Shumica e të akuzuarve, përfshirë Abdeslam-in, mund të dënohen me burgim të përjetshëm nëse shpallen fajtorë. Abdeslam, 31 vjeç, akuzohet për ofrimin e mbështetjes logjistike për sulmuesit. Abdeslam u largua nga vendi i masakrës pasi braktisi rripin e tij të vetëvrasjes, të cilin hetuesit më vonë e zbuluan si të dëmtuar.

Njeriu më i kërkuar i Evropës në atë kohë, u kap katër muaj më vonë në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel, pas një shkëmbimi zjarri me policinë.

Abdeslam që atëherë ka refuzuar të bashkëpunojë me hetuesit francezë. Ai qëndroi kryesisht i heshtur gjatë një gjyqi të veçantë në Belgjikë në vitin 2018. Ka shumë spekulime nëse ai do të flasë gjatë këtij gjykimi.

Gjyqi do të regjistrohet për arkivat, por nuk do të transmetohet drejtpërdrejt. Ditët e para të gjykimit pritet të jenë kryesisht procedurale derisa viktimat të thirren për të dhënë dëshmi në fund të shtatorit.

Cilët janë të dyshuarit në gjyq?

Abdeslam është i vetmi anëtar i mbijetuar i grupit i dyshuar për kryerjen e sulmeve. Ai ka qenë në burg që kur u arrestua në Belgjikë në vitin 2016.

13 të pandehurit e tjerë që dalin në gjyq akuzohen për një sërë krimesh, përfshirë financimin dhe planifikimin e sulmeve.

Midis tyre është Mohamed Abrini, i cili akuzohet për financimin dhe furnizimin me armë të sulmuesve. 36-vjeçari do të dalë në gjyq për shpërthimet e Brukselit në 2016-ën vitin e ardhshëm.

Të dyshuarit e tjerë përfshijnë Mohammed Amri, 33 vjeç dhe Hamza Attouh, 27, të cilët u arrestuan në Belgjikë dhe pranuan se e kishin marrë Abdeslam-in në Francë dhe e kishin kthyer mbrapsht në Bruksel menjëherë pas sulmeve.

Gjashtë të tjerë akuzohen se kanë ndihmuar në organizimin e sulmeve dhe do të gjykohen në mungesë. Disa mendohet se kanë vdekur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore