Lajme

Stradner: Qesharake mbështetja e Francës për Serbinë – porosia e Macronit për Banjën, lajmi i vetëm pozitiv


Aleksandër Vuçiç dhe Emmanuel Macron

Ivana Stradner, specialiste në fushën e sigurisë dhe informacionit, gjithashtu vëzhguese e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, pas takimit që presidenti francez, Emmanuel Macron, zhvilloi të hënën me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, tha se kjo është mundësia e fundit për presidentin serb që t’i rregullojë gjërat përpara se situata të përshkallëzohen në rajon.

Por ajo kritikoi presidentin francez për deklaratën se Franca do të vazhdojë mbështetjen për rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), posaçërisht në një kohë kur Serbia ka ngritur nivelin e bashkëpunimin me Rusinë dhe Kinën, madje në dritën e agresionit rus në Ukrainë, ndërsa lajm pozitiv është kërkesa për llogaridhënie për rastin Banjska.

“Qesharake të dëgjosh që Macroni thotë se Franca është e përkushtuar ndaj të ardhmes evropiane të Serbisë. Kur, në fakt, Vuçiç nuk e dëshiron anëtarësimin e vendit në BE. Ai dëshiron të jetë në ‘rrugën e BE-së’ dhe merr para evropiane për mbijetesën e tij politike, ndërsa bashkëpunon me Kinën dhe Rusinë”, shkroi Stradner në platformën “X” të martën.

Macroni gjithashtu theksoi se është e rëndësishme që të gjithë pjesëmarrësit në terrorizmin e vitit të kaluar në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës të vihen para drejtësisë. Dhe Stradner vlerësoi porosinë e qartë të presidentit francez.

“Lajmi i vetëm i mirë nga ky takim është se thuhet se Macron i ka kërkuar Vuçiçit që të kërkojë llogari nga njerëzit për sulmin në Banjë në Kosovë. Le të shohim nëse Vuçiçi do ta realizojë premtimin. S’do të çuditesha nëse Vuçiçi i premtoi Macronit se do ta rregullonte këtë çështje pas zgjedhjeve… vetëm për të blerë më shumë kohë”, shkroi analistja amerikane.

“Macron ka një histori të gjatë në marrjen e disa vendimeve të tmerrshme në politikën e jashtme, por dyshoj se ai nuk mund të shohë nëpërmes Vuçiçit. Macron përdor kartën e ‘miqësisë historike’ midis Serbisë dhe Francës në përpjekje për ta bindur Vuçiçin të këndellet. Ky është shansi e fundit i Vuçiçit për të rregulluar gjërat përpara se situata të përshkallëzohen përsëri”.

Franca do të sigurohet që marrëveshja Kosovë-Serbi të përmbushet, thotë Macron

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore