Kosova

Franca do të sigurohet që marrëveshja Kosovë-Serbi të përmbushet, thotë Macron


Emmanuel Macron

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë një konference për media pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, tha se do të sigurohet që Kosova dhe Serbia të përmbushin çdo pikë të marrëveshjes të arritur vitin e kaluar për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa veçoi rëndësinë që të gjithë sulmuesit në Banjskë të Zveçanit të vihen para drejtësisë.

“Procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi është një premtim dhe zotim për të stabilitetin e rajonit dhe të gjithë kontinentit. Franca do të vazhdojë të mbështesë rolin ndërmjetësues të Bashkimit Evropian (BE), ndërsa dua të përshëndes hapat e të dyja palëve, por tani duhet të shkojnë edhe më tej”, deklaroi presidenti francez të hënën në konfrencë.

Ai gjithashtu theksoi se është e rëndësishme që të gjithë pjesëmarrësit në terrorizmin e vitit të kaluar në pjesën veriore të Kosovës të vihen para drejtësisë, ndërsa nga Kosova kërkoi që të respektojë të gjitha obligimet që burojnë nga dialogu, por edhe të sigurojë legjitimitet të plotë demokratik në katër komunat veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

“Për mua është e nevojshme që përgjegjësit për sulmin në Banjskë vjeshtën e kaluar të dalin para drejtësisë dhe të japin përgjegjësi për veprimet e tyre. Duhet të bëhet gjithçka që të mos ndodhë asnjëherë një dramë e tillë. Po ashtu dua që Kosova të respektojë zotimet dhe që zgjedhjet në komunat me shumicë serbe të kenë legjitimitet të plotë demokratik”, shtoi ai.

E presidenti serb në Paris konsideroi që qëndrimi i Macronit se Kosova dhe Serbia “kanë bërë diçka” në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve nuk është plotësisht i vërtetë, sepse, sipas tij, “njëra palë nuk ka bërë asgjë”. Ai përmendi çështjen e ndalimit të dinarit serb në territorin e Kosovës dhe vonesën në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova dhe Serbia e pranuan një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve më 27 shkurt 2023 në Bruksel të Belgjikës. Pastaj u arrit edhe një dakordim që do ta përcaktonte trajektoren e procesit të normalizimit në qytetin piktoresk të Ohrit në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, një vit pas, tensionet politike dhe pengesat praktike ende mbeten pjesë e problemit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore