Lajme

Statusi i vendit kandidat për BeH-në: Franca, Gjermania dhe Holanda e kundërshtojnë


Komisioni Evropian ka rekomanduar të mërkurën e 12 tetorit që Bosnjë dhe Hercegovinës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe se vendimi final për këtë vend pritet të merret në muajin dhjetor.

Por, siç mëson mediumi boshnjak “Klix.ba”, Franca, Gjermania dhe Holanda janë aktualisht kundër rekomandimit të KE-së dhe nuk ka gjasa që qëndrimi i tyre të ndryshojë deri në dhjetor.

“Anëtaret e BE-së besojnë se dhënia e statusit kandidat do të ishte një shpërblim i pamerituar për qeverinë në largim të BeH-së, e cila nuk ka bërë pothuajse asgjë në rrugën evropiane”.

Po ashtu, ndër problemet kryesore mbetet lideri nacionalist i serbëve të BeH-së, Milorad Dodik, i cili mbështet hapur Rusinë dhe presidentin Vladimir Putin.

“Qeveritë e tre anëtarëve të BE-së, mbi të gjitha Franca, duan së pari të shohin një ndryshim real në rrugën evropiane dhe ndoshta të presin formimin e një qeverie të re në BeH pas zgjedhjeve të mbajtura së fundmi”.

Ndryshe, rekomandimi i KE-së për t’i dhënë Ukrainës statusin e kandidatit “me mirëkuptimin” se vendi do të përmbushë më pas kushtet e nevojshme, ngriti çështjen e BeH-së si një vend, statusi kandidat i së cilës është i lidhur me përmbushjen e mëparshme të kritereve.

Ndërkaq, Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, do t’i vizitojë vendet e Ballkanit Perëndimor këtë javë me qëllim që të theksojë rëndësinë që BE-ja i kushton marrëdhënieve me rajonin dhe perspektivës evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore