Shqipëria

SPAK nis hetimet për shembjen e Teatrit


Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), të mërkurën e 4 gushtit ka bërë me dije se ka nisur hetimet për shembjen e teatrit.

Përmes një letre të dërguar sekretarit për çështjet ligjore në Partinë Demokratike (PD), Çlirim Gjatës, SPAK ka konfirmuar nisjen e hetimeve.

Në shkresën e siguruar nga Albanian Post, bëhet me dije se kallëzimi i bërë nga PD-ja i është bashkuar procedimit penal.

“Për shkak të detyrimit ligjor të ruajtjes së sekretit hetimor, në këtë fazë të hetimeve paraprake, nuk mund t’ju informoj në lidhje me veprimet hetimore konkrete të kryera nga ana e prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, shkruhet në deklaratë.

Kushtetuesja shfuqizon – përfundimisht – ligjin për Teatrin

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur plotësisht vendimin për çështjen e Teatrit Kombëtar, të premten e 16 korrikut, duke shfuqizuar përfundimisht ligjin special për Teatrin dhe duke pezulluar ndërtimin e godinës së Teatrit të ri.

Përkatësisht, bëhet fjalë për ligjin numër 37/2018, “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës” me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Arsyetimi mbi këtë pikë është papajtueshmëria që ligji shfaq me Kushtetutën e Republikës.

Kjo pikë e parë, është rrjedhojë e shfuqizimit të kalimit të pronësisë në emër të Bashkisë së Tiranës nga Ministria e Kulturës.

Nëpërmjet shfuqizimit të vendimit numër 377, datë 08.05.2020, të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin ‘Teatri Kombëtar’, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, Kushtetuesja rrëzon të dyja pikat.

Arsyetimi mbi kalimin e pronësisë është po i njëjtë. Papajtueshmëri me Kushtetutën e Shqipërisë.

Pavarësisht këtij vendimi, shembja e Teatrit mbetet e ligjshme nga ana e Bashkisë. Pra, nuk ka shkelje në këtë pjesë të “sagës” së godinës kulturore.

Kjo pikë është e bazuar në ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar. Kërkesa në këtë rast ka qenë e papajtueshme me Kushtetutën.
Vendimi i pjesshëm ishte bërë me dije edhe më parë nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Asnjë ndryshim nuk ka në këtë vendim përfundimtar.

Prej çastit të botimit në Fletoren Zyrtare, nuk ka më kthim prapa të këtij vendimi, pasi bëhet i formës së prerë.

Historiku i çështjes së Teatrit

Orët e para të 17 majit të vitit 2020, do ta gjenin gjithë Shqipërinë, por veçanërisht kryeqytetin, përballë lajmit të shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

Ngjarja menjëherë krijoi një dyzim në opinionin publik dhe mbi të gjitha, nisi një zanafillë konfliktesh midis disa palëve.

Prej thuajse dy vjetësh, disa aktorë të Teatrit, por edhe aktivistë, i kishin dalë kundër propozimit fillimisht dhe më pas vendimit të Qeverisë, për të prishur godinën. Kjo, sepse sipas tyre, Teatri ishte pjesë e trashëgimisë kulturore dhe nuk mund të prekej.

Nëntë ditë përpara prishjes, më 8 maj 2020, Teatri Kombëtar i kaloi përfundimisht Bashkisë së Tiranës në pronësi. Ishte pikërisht ky vendim, ai i cili i hapi rrugë prishjes së godinës.

Prishja shkaktoi një sërë protestash publike edhe pse vendi gjendej në kohë pandemie. Jo të pakta ishin edhe rastet kur pati konfrontim fizik midis aktivistëve dhe policisë.

Por, ajo që mbetej, ishte një shesh bosh, një plan i ri për teatrin dhe një grupim njerëzish të mbështetur nga presidenti, për të çuar kauzën në Gjykatën Kushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore