Shqipëria

Sokol Marsi nderohet nga presidenti me titullin “Mjeshtër i Madh”


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj dekoroi të enjten e 12 dhjetorit me Titullin “Mjeshtër i Madh” artistin e mirënjohur Sokol Marsi.

Kjo, me motivacionin “mirënjohje për kontributin artistik dhe vlerat e çmuara si kompozitor, producent muzikor dhe tekstshkrues i shumë këngëve të muzikës së lehtë, popullore dhe për fëmijë”.

Gjatë fjalës përshëndetëse, Begaj u shpreh se “është gjithmonë kënaqësi e veçantë për mua kur mblidhemi për të dekoruar ata shqiptarë që me punën e tyre, i shërbejnë skenës artistike e kulturore të vendit”.

Kujtojmë që nderimi i parë i mandatit të Begajt në Presidencën shqiptare ishte për artisten e mirënjohur Rita Ora me me titullin “Naim Frashëri”.

Bajram Begaj nuk do të japë më shumë se sa 23 dekorata në vit.

Kjo, pa miratimin e një organi të ri kompetent, që do të jetë Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve.

Kështu parashikon projektiligji i ri për dekoratat në Shqipëri i hartuar nga qeveria.

Autoritetet qeveritare kanë vendosur që të kufizojnë me ligj numrin e dekoratave që do të jepen nga Presidenti i Republikës brenda një viti.

Konkretisht, presidenti nuk mund të dekorojë çdo vit pa propozim paraprak të autoriteteve përkatëse, më shumë se sa 10 për qind të numrit të përgjithshëm të dekoratave të të gjitha kategorive që mund të jepen brenda vitit.

Numri maksimal i dekoratave të të gjitha llojeve që mund të jepen brenda një viti nga të gjitha autoritetet është rreth 230.

Dekoratat që do të japë presidenti mbi këtë numër, kushtëzohen me dhënien e miratimit nga Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve, e cila do të ngrihet me urdhër të kryeministrit Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore