Përballje

Skuadra nga Gjibraltari shkruan hisotorinë, kualifikohet në fazën e grupeve të Europa Conference Leauge


Ekipi nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps, ka shkruar historinë në mbrëmjen e së enjtes, duke u kualifikuar në fazën e grupeve të Europa Conference Leauge.

Lincoln mposhtën me rezultat 3:1 pas vazhdimeve, skuadrën letoneze, Riga FC, për të cilët aktivizohet edhe futbollisti i Kosovës, Besar Halimi, që luajti për 70 minuta në këtë ndeshje.

Pasi ndeshja e parë në Letoni, kishte përfunduar me barazim 1:1 edhe në këtë ndeshje ishte po i njëjti rezultat në kohën e rregullt.

Ekipi letonez kaloi e para në epërsi në minutën e 19-të të takimit me anë të futbollistit ukrainas, Yuri Vakulko, pastaj në minutën e 32-të, futbollisti nga Gjibraltari, Liam Walker barazoi shifrat në 1:1.

Pjesa e dytë nuk prodhoi gola, çka bëri që rezultati në të dyja ndeshjet të ishte i barabartë dhe skuadrat iu drejtuan vazhdimeve dy herë nga 15 minuta.

Në vazhdime, vendasit “surprizë” realizuan dy herë.

Roy Chipolina shënoi për 2:1 në minutën e 105-të dhe pak sekonda para fundit të takimit, Kian Ronan shënoi golin e fitores, që i dha kualifikimin historik skuadrës nga Gjibraltari.

Kujtojmë që Gjibraltari është pranuar në një kohë me Kosovën në UEFA dhe FIFA, derisa ata janë shteti i dytë më i vogël për nga popullsia që bënë pjesë në UEFA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore