Lajme

Si të mos jetë terrorizëm bombardimi i shkollave nga rusët? – Bashkëshortja e Zelenskyt flet për mundimet e luftës


Kur flitet për luftën në Ukrainë, nuk ka se si temë kryesore e diskutimeve të mos jetë dëmi i shkaktuar ndaj fëmijëve dhe të rinjve nga gjithë agresioni rus, në çdo dimension.

Mbi këtë aspekt tejet njerëzor, ka folur për median amerikane CBS News zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska, e cila ka qenë prerazi e qartë mbi qëndrimin zyrtar të Kievit për veprimet e Moskës: Si mund të mos jetë terrorizëm bombardimi i shkollave nga rusët?

“Ata po përpiqen të frikësojnë njerëzit, t’i bëjnë të ikin”, e nisi ajo rrëfimin ekskluziv, duke vijëzuar “nismën” ruse për të boshatisur qytete të tëra, me qëllim okupimin e territorit ukrainas.

Për këtë arsye, sipas saj, nuk ka se si ky, të mos jetë terrorizëm.

“Lufta po zhvillohet sot me mjete moderne, por pikëvështrimi ndaj saj nga pala ruse është mesjetare, si nga aspekti moral, ashtu edhe nga ai etik”, e vijoi ajo më tej zbërthimin e aksionit gjakatar të Kremlinit.

Imazhi i Zelenskës, përkundër nga ai qëndrestar i  bashkëshortit të saj, presidentit Volodymyr Zelensky, është ai i një gruaje që e mbart dhimbjen dhe vuajtjen e një populli të tërë, me plot 44 milionë jetë.

Vetë ajo, e ndarë nga gjysma e saj e jetës, është reflektimi i një populli ukrainas, i cili është zhbërë në gjysmë, ku familje të tëra janë rivendosur në qytete më të sigurta, ku refugjatët ukrainas kanë lënë pas burrat në luftë dhe ku familjet, njëra-tjetrën e shohin përmes fotografive.

Por prapë, edhe ana më “e butë” e luftës, kërkesën ndaj botës perëndimore e ka për armatime, për mbështetje, për dënim të agresorëve në mënyrën më të ashpër.

“Nuk i duam armët për t’i shpallur luftë dikujt tjetër. I duam për të mbrojtur veten, familjet tona, tokat tona”, thotë ajo me lot në sy, teksa sjell përjetimet e personave që kanë humbur gjithçka, përveç shpresës për liri.

Ajo e ndjen veten pjesë e këtyre njerëzve, të cilët i përfaqëson, siç thotë edhe vetë.

Historitë janë më shumë se tronditëse, por sytë duhet të shkojnë tek të mbijetuarit.

Me 500 spitale e klinika të shkatërruara, 150 shkolla të rrafshuara apo 900 të tjera të dëmtuara, rruga e ringritjes së feniksit nga hiri, në sytë e saj, është vetëm një: Edukimi!

Nuk e bëjnë ndërtesat vetëm rrëfimin e kësaj lufte për të, por kujtimet e një bote kur ukrainasit jetonin të lirë dhe edukimin, në pamundësi për t’i pasur të gjithë në shkollë, sepse ndonjë bombë mund t’ia marrë edhe ato pak gjëra që i kanë mbetur, do ta bëjnë, në çdo formë.

“Online!”, habit ajo, “thjesht online, siç na mësoi pandemia famëkeqe, sepse momentalisht kështu mundemi dhe sepse fëmijët kështu nuk rrezikojnë”.

“Historinë”, vijon më tej në përmbyllje, “do ta dëgjojnë të plotë, me gjithë dhimbjen që ka, me gjithë durimin që po tregojmë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore