Sport

Shtatë, futbolli mban emrin e Leo Messi-t


Lionel Messi është fituesi i Topit të Artë.

Argjentinasi është shpallur futbollisti më i mirë i vitit 2021 nga France Fotball.

Leo ka fituar trofeun më prestigjioz individual në futboll, duke lënë prapa të gjithë rivalët e tij.

Messi këtë vit ka shënuar 47 gola dhe ka arritur 14 asistime, duke fituar Kupën e Mbretit me Barcelonën dhe Kupën e Amerikës me Argjentinën.

Për Lionel Messi-n, ky është trofeu numër shtatë, historik.

Messi, i cili konsiderohet më i miri i të gjitha kohërave nga plot, sonte në Paris, për herë të shtatë në karrierë është shpallur futbollisti më i mirë gjatë një viti kalendarik.

Lionel është dy herë më i kurorëzuar se ndjekësi i tij më i afërt, Cristiano Ronaldo, në këtë çmim.

Kjo do të jetë hera e parë që Lionel Messi do ta prezantojë këtë trofe me një fanellë tjetër përveç asaj të Barcelonës.

Kënaqësinë që ta shohin Leo-n me Topin e Artë në duart e tij, do ta kenë tifozët e Paris Saint-Germain në “Parc Des Princes”.

Futbolli mban emrin e tij, Lionel Messi shpallet futbollisti më i mirë në botë.. përsëri.

Prapa ai ka lënë me radhë: Robert Lewandowski, Jorginho, Karim Benzema, N’Golo Kante, Cristiano Ronaldo, Mohamed Salah, Kevin De Bruyne, Kylian Mbappe, Gianluigi Donnarumma.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore