Shqipëria

Shqipëria nuk ka asnjë ndryshim në pikë, sipas raportit të “Freedom House”


Raporti më i fundit i “Freedom House” për Vendet në Tranzicion, ka zbuluar se Shqipëria nuk ka pësuar asnjë ndryshim në pikë.

Kjo, krahasuar me një vit më parë, sipas shtatë kritereve ku bazohet vlerësimi i kësaj organizate.

Lajmin e bëri të ditur “Zëri i Amerikës”, duke iu referuar organizatës joqeveritare me seli në Washington.

Shqipëria vazhdon të renditet në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion.

Pra, institucionet e saj demokratike janë ende të brishta.

Ndër të tjera, në vendin tonë ekzistojnë “sfida thelbësore për mbrojtjen e të drejtave politike dhe lirive civile”.

Raporti thekson se qeverisja në Shqipëri në nivel kombëtar është demokratike, por “e dominuar nga politika partiake klienteliste”, shkruan VOA.

Zgjedhjet janë përgjithësisht konkurruese, por ato shpesh dëmtohen nga blerja e votës, manipulimi me votat dhe mangësi të tjera.

Sipas “Freedom House”, media në Shqipëri është pjesërisht e pavarur dhe ofron njëfarë niveli vëzhgimi të kujdesshëm të punës së atyre që kanë poste publike, përcjell Albanian Post.

Por shumica e pronarëve të medias, vëren raporti, i përdorin platformat e tyre mediatike për të lobuar tek qeveria dhe partitë politike.

Qeverisja

Për sa i takon qeverisjes lokale, vijon VOA në artikullin e saj, ajo shihet si demokratike, por seriozisht e pafinancuar dhe e pakualifikuar për të ofruar shërbimet adekuate për qytetarët.

Referuar raportit, nënvizohet më tej se gjyqësori vijon të jetë nën një proces të vazhdueshëm verifikimi.

Kjo, sa i takon pastërtisë të figurës së anëtarëve të tij deri në fund të vitit 2024, e për rrjedhojë funksionon vetëm pjesërisht.

Prej fillimit të procesit të vetingut, shkruan VOA, janë rritur pritshmëritë, se sistemi i drejtësisë do të jetë më efektiv dhe më i pavarur.

Por në raport thuhet se ai ende nuk ka dhënë prova konkrete se po vepron lirisht, përcjell Albanian Post.

Në lidhje me korrupsionin, sipas raportit, ai vazhdon të jetë ende i përhapur, duke shkaktuar mosfunksionim në degë të ndryshme të qeverisë.

Raporti vlerëson në këtë aspekt se agjencitë e reja të zbatimit të ligjit, të krijuara, që nga viti 2019 po tregojnë rezultate inkurajuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Që nga viti 1995, raporti i “Freedom House” për Vendet në Tranzicion ka vlerësuar gjendjen e demokracisë në 29 vende – nga Evropa Qendrore në Azinë Qendrore.

Organizata e bazon vlerësimin në shtatë kategori.

Siç janë procesi zgjedhor, shoqëria civile, pavarësia e medias, qeverisja demokratike në nivel kombëtar, qeverisja lokale, sistemi gjyqësor dhe pavarësia e tij, si dhe korrupsioni.

Vlerësimi bëhet nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë dhe me 7 vlerësohet niveli më i lartë i saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore