Shqipëria

Shqipëria kundër raportit të Dick Marty-t, Rama i drejtohet KiE-s


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pritet të adresojë të mërkurën e 12 tetorit, përpara anëtarëve të Këshillit të Evropës, rezolutën shqiptare kundër raportit të Dick Marty-t me titull “Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i organeve në Kosovë”.

Kjo e fundit, është paralajmëruar më herët nga qeveria shqiptare dhe është mbështetur edhe gjatë Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

“Ne jemi duke përgatitur një rezolutë për Kuvendin e Shqipërisë dhe do të shkoj personalisht në Strasbourg, në rastin më të parë, shpresoj në shtator, për t’iu drejtuar Këshillit të Evropës për një fakt, i cili bëhet gjithnjë e më shqetësues, që është pabazueshmëria totale e raportit të Dick Marty-t”.

Kështu shprehej kreu i qeverisë më 20 qershor krah kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Prej aty, rezoluta kaloi në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik, me 125 vota pro, duke bashkuar mazhorancën dhe opozitën në qëndrime.

Autoritetet shqiptare dorëzuan më 12 gusht pranë institucionit evropian rezolutën e kaluar më herët në parlament.

Fjalimi i kreut të qeverisë është parashikuar të jetë 60 minuta.

Council of Europe - Strasbourg | Visit Alsace

Çfarë kërkon Shqipëria?

Sipas kërkesës së delegacionit shqiptar pranë organit të lartë evropian, do të kërkohet të përgatitet një raport i ri, për të zhbërë efektet e atij të Dick Marty-t.

Ky i fundit, është premisë direkte edhe e ngjizjes së Gjykatës Speciale, e cila ka çuar për gjykim në Hagë ish-drejtuesit e lartë të UÇK-së.

Në dokument po ashtu shtohet se të gjitha pretendimet e ngritura nga Dick Marty në raport janë të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte.

Për rrjedhojë, ato duhet të cilësohen si të tilla nga të gjitha institucionet ndërkombëtare.

“Për këtë qëllim propozojmë këtë ‘Rezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri’”, vijohet më tej.

Këshillit të Evropës, ndër të tjera, i kërkohet të distancohet nga akuzat e paprovuara nga hetimet ndërkombëtare sepse 11 vite pas hartimit të raportit, asnjë nga pretendimet e ngritura prej tij nuk është vërtetuar.

Gjithashtu i kërkohet Qeverisë shqiptare të mbetet plotësisht e përkushtuar për të ndihmuar drejtësinë dhe identifikuar përgjegjësinë për të gjitha krimet e kryera në ish-Jugosllavi.

Në projektrezolutë përsëritet thirrja për të gjithë të interesuarit që të bashkëpunojnë me Mekanizmin Ndërkombëtar për kryerjen e funksioneve të mbetura të gjykatave penale (IRMCT), brenda juridiksionit të saj.

Visits to KSC | Kosovo Specialist Chambers & Specialist Prosecutor's Office

Reagimet

“Skandal i niveleve të paprecedenta”, e cilësonte pjesëtarja e delegacionit serb në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Biljana Pantiç, “nëse Këshilli i Evropës do të rrëzonte raportin e ish-senatorit zviceran Dick Marty”.

Sipas saj, rezoluta e KiE-s nuk është e Dick Marty-it, por vetëm raporti.

Delegatja serbe shtoi se ajo rezolutë u votua nga deputetë të 47 shteteve anëtare.

“Ky është shembulli i lojës së tyre politike. Nuk ka votuar vetëm Serbia për atë rezolutë. Kjo do të thotë se të gjithë që kanë votuar duhet të pështyjnë mbi çfarë kanë votuar dhe të thonë: jo s’ka qenë ashtu”, deklaronte Pantiç.

Ministria e Jashtme e Federatës Ruse do të reagonte menjëherë pas miratimit në Kuvendin e Shqipërisë të rezolutës kundër raportit të Dick Marty-t.

Përmes zëdhënëses Maria Zakharova, Rusia konfirmoi qëndrimin e saj të kahershëm.

“Parlamenti shqiptar miratoi një rezolutë që sfidon akuzat në lidhje me trafikimin e organeve në Kosovë dhe Shqipëri. Mbetemi të vendosur në qëndrimin tonë se personat e përfshirë në këto krime duhet të përballen me një dënim të ashpër dhe të drejtë”, shkruante Zakharova në median sociale Twitter.

Russian Foreign Ministry says US calls for peace talks on Ukraine are hypocritical - Russian Politics & Diplomacy - TASS

Deklarata

Rama deklaroi gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara se raporti i Dick Marty-t ishte tronditës.

Sipas tij, do të kujtohen me të drejtë “vragat e shtypjes, represionit dhe gjenocidit” në Srebrenicë apo “spastrimit mizor etnik” në Kosovë.

“Asgjë nga këto nuk është dhe nuk do të harrohet”, garantoi kreu i qeverisë shqiptare.

Kryeministri shtoi se çdo përpjekje hetimore u bë gjatë këtyre 11 viteve për t’i provuar këto akuza.

“Asgjë, asnjë fjalë e vetme e gjithë aktakuzës nuk ka të bëjë me raportin e Këshillit të Evropës për krimin e pretenduar të organeve”, vijoi Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se “Dhomat e Specializuara kanë arrestuar pa padi ish-presidentin e Republikës së Kosovës Hashim Thaçi”.

“Imagjinojeni një moment që presidenti apo kryeministri juaj merret nga zyra dhe çohet në një vend të tretë dhe mbahet pa asnjë aktakuzë në burg”, vijoi ai.

Rama e cilësoi aktakuzën si “një dështim monumental” dhe që nuk ka të bëjë me procedurat e gjykatës, por ka të bëjë me “njollosjen e historisë së një vendi”.

Misioni i Shqipërisë është që Asambleja e Këshillit të Evropës “të ndërrojë të vërtetën dhe të pranojë kërkesën e autoriteteve shqiptare”.

Kjo, për të pasur një raport vijues dhe vendosjen e besueshmërisë në një organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore