Shqipëria

Shqipëria, kthina e re e emigrantëve të Greqisë


Ishin fillim vitet ’90 kur dhjetëra mijëra emigrantë shqiptarë vërshuan nëpër pyjet prej lisi pranë fshatit Ieropigi, duke shmangur patrullat kufitare greke.

E gjitha për të kërkuar punë në Greqi pas rënies së komunizmit në vendin mëmë.

E përditshmja, “Associated Press”, rrëfen se u deshën plot tridhjetë vjet që rrjedha ndërkufitare të përmbysej. Edhe pse në një shkallë shumë më të vogël.

Janë njerëz nga Lindja e Mesme dhe Afrika tanimë, të cilët përshkojnë të njëjtat pyje prej lisi, duke shkuar nga Greqia në Shqipëri, në gjysmën e rrugëtimit të tyre të gjatë në zemër të Evropës.

Prej vitit të afërt 2018, emigrantët dhe refugjatët që tentojnë të provojnë fatin e tyre diku tjetër, në një vend më të pasur se Greqia, e kanë kthyer këtë pjesë të kufirit në rrugën kryesore të daljes nga vendi përmes rrugës tokësore.

Bariu 69-vjeçar, Michalis Trasias, i cili kullot delet e tij në anën greke të kufirit, ka treguar për “Associated Press” se syve të tij nuk i shpëtojnë grupet që vijnë përditë drejt vendit tonë.

“Shumë refugjatë kalojnë…me qindra. Kufiri është vetëm njëqind metra nga këtu. Ata që kapin shqiptarët i kthejnë prapa. Ata që e menaxhojnë, vazhdojnë, se ku, vetëm ata e dinë”, ka treguar ai.

Për ata emigrantë ose refugjatë, të cilët nuk duan të qëndrojnë në Greqi, ekzistojnë disa mundësi. Ama të gjitha të paligjshme.

Të grumbullohen në një traget. Të sigurojnë një vend në një varkë kontrabande për Itali. Ose të përdorin dokumentacione të rreme për të kapur një fluturim jashtë. Ose-ose të ecin për në Bullgari, Maqedoninë e Veriut ose Shqipëri.

Mirëpo, duke e parë Bullgarinë si tejet të rrezikshme dhe Maqedonia e Veriut gjithnjë e më mirë të ruajtur, një numër i madh prej tyre po zgjedhin Shqipërinë.

Kjo edhe pse patrullat në vend forcohen nga oficerët e agjencisë kufitare Frontex të Bashkimit Evropian.

Hyrjet e paligjshme i dëshmojnë edhe të dhënat e këtij viti të policisë që tregojnë se Shqipëria ka parë një rritje të arrestimeve për hyrje të paligjshme.

Në të kundërt me realitetit shqiptar, Maqedonia e Veriut raporton një rënie të tyre.

Ardian Bita, zëdhënësi i ministrisë së brendshme, ka pohuar se vendi “po bën çmos për të luftuar grupet e krimit të organizuar” që ndihmojnë trafikun e emigrantëve.

Gjithashtu ka ravijëzuar se janë arrestuar “një numër i konsiderueshëm” i kontrabandistëve përgjatë vitit.

Referuar “Associated Press”, baza kryesore për kalimet është një shtëpi e braktisur e rojeve të ushtrisë, e cila është e pistë dhe e rrënuar.

Por edhe pyjet afro disa qindra metra nga kufiri, një gjysmë ore ecje nga fshati më i afërt grek Ieropigi dhe 220 kilometra në perëndim të qytetit të dytë më të madh të Greqisë, Selanikut.

Aty gjendet edhe ujë nga një stacion pompimi, nga i cili disa bien në kontakt me energjinë elektrike për të karikuar telefonat.

Gjatë një vizite të ekipit të agjencisë, u vunë re gati 50 njerëz që u vendosën në zonë, duke pritur të bëjnë përpjekjen e tyre për të kaluar vetëm ose me ndihmën e paguar të kontrabandistëve.

Kjo shifër mund të rritet deri në disa qindra, shumica e të cilëve grumbullohen dhe zhvendosen periodikisht nga policia greke. Veç pak nga ta qëndrojnë gjatë.

Një prej tyre është Shaikh Musa Abdallah nga Sudani. Ai ka qëndruar në ish-shtëpinë e shkatërruar të rojës për 50 ditë. Së bashku me gruan dhe pesë fëmijët e tij, të moshës pesë deri në 15 vjeç.

“Deri më tani, jam përpjekur gjashtë herë për të kaluar në Shqipëri, me shpresën për të vazhduar në Serbi…por Frontex-i më ndaloi. Për të tjerët është shumë e lehtë të kalosh, por për familjet është shumë e vështirë”, ka treguar ai.

Abdallah i ka thënë ekipit të “Associated Press” se ka jetuar në Greqi për tre vitet e fundit. Dhe tanimë, dëshiron të braktisë përpjekjet e tij për të vazhduar më tej.

Edhe Mohammad Nour Mahmood Al Damad nga Siria është kthyer mbrapsht, gjashtë herë në shtatë ditët e fundit. Por ai po udhëton pa fëmijë dhe është i vendosur të vazhdojë, pasi iu refuzua azili në Greqi.

“Dua të largohem, të shkoj në ndonjë vend tjetër. Nuk dua të shkoj në Evropë, vetëm në Shqipëri apo Kosovë. Unë dua një jetë të mirë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, 30-vjeçari, Husam Hderi, dëshiron të njëjtën gjë, por për më tej.

“Dua të shkoj në Shqipëri, pastaj në Kosovë dhe prej andej në Bosnjë për të arritur në Itali. Kam një familje, dy fëmijë në Siri. Sapo të arrij atje, do t’i sjell që të jetojmë së bashku”, ka shpresuar ai.

Hderi arriti në Greqi një muaj më parë, duke rrëshqitur përtej kufirit tokësor nga Turqia dhe më pas duke u drejtuar nga kontrabandistët e njerëzve në Selanik.

Ai ka rrëfyer se deri më tani i ka paguar kontrabandistëve 2 mijë e 200 euro për të arritur në Ieropigi dhe është i vendosur të vazhdojë në veri.

“Frontex-i është një problem i madh. Për një muaj jam përpjekur vazhdimisht të hyj në Shqipëri dhe ata vazhdojnë të më kthejnë sërish”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore