Lajme

“Shpifje dhe dëmtim të imazhit” – Kandidati i LVV-së në Kaçanik paditë 11 persona dhe 3 portale


Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Kryetar të Komunës së Kaçanikut, Jeton Raka, ka deponuar padi kundër 11 personave dhe 3 portaleve të lajmeve për “shpifje” dhe “degradim të imazhit”, në Gjykatën Themelore në Ferizaj

Këtë Raka e bëri të ditur përmes një njoftimi në llogarinë e tij në Facebook, ku shkroi se “Nxitja e urrejtjes është vepër penale”.

“Dje, më datë 26.10.2021, deponuam padi kundër 11 personave dhe tre portaleve, të cilët përmes shpifjeve, tentojnë ta degradojnë imazhin tim dhe të Lëvizjes. Shpifjet e tilla janë tejet të rrezikshme dhe kanë për qëllim nxitjen e urrejtjes, ndarjes dhe përçarjes ndërqytetare”, shkroi kandidati i LVV-së.

Raka u bëri thirrje qytetarëve të Kaçanikut të mos bien pre e “shpifjeve, linçimeve, kërcënimeve apo presionit që pushteti lokal po ushtron ndaj votuesve”.

Raka konsideron se kjo është një fushatë “për të krijuar ndasi fshat-qytet, ku e kanë marrë një status timin të datës 01.09.2017 ku unë kam uruar Festën e Bajramit, dhe e kanë modifikuar, e kanë bërë montazh”.

Portalet në fjalë që kanë shpërndarë këtë status të modifikuar, thotë Raka janë “Insjaderi.org, Epilogu dhe Portali Kaçaniku”, por thotë se “ndoshta ka edhe të tjera, mirëpo për këto kam fakte”.

Një gjë e tillë është nxitje e urrejtjes, ndasisë dhe përçarjes qytetare sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (04/L-082). Neni 147: “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik 1. Kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje ose mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike apo grupe tjera të tilla që jetojnë në Republikës e Kosovë, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet. […]”.

Këto shpifje Kandidatit të LVV-së i janë bërë gjatë javës së fundit të fushatës zgjedhore në Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit, me qëllim të dëmtimit të imazhit ti të tij dhe të partisë në të cilën ai garon.

Komuna e Kaçanikut shkon në raundin e dytë të zgjedhjeve mes Partisë Demokratike të Kosovës me kandidat Besim Ilazin dhe Lëvizjes Vetëvendosje me Jeton Rakën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore