Lajme

Shkon në 200 numri i jetëve të humbura në shpërthimin terrorist në Kabul


Shpërthimet masive që ndodhën në Kabul, mbrëmjen e 26 gushtit, deri më tani kanë shkaktuar në humbjen e 200 jetëve, mes të cilave 13 marinsa e personel amerikan.

Përpos dy sulmeve të mëdha në aeroport, ka pasur dhe një sulm në Baba Mina, dy në Sharenaw dhe një shpërthim në Sareye Shamali.

Ndërsa, sipas zëdhënësit për shtyp të talebanëve, Zabihullah Mujahid, nuk ka pasur asnjë taleban të plagosur apo të vrarë në shpërthimet në Kabul.

Përtej sulmeve, fluturimet e evakuimit nga Afganistani rifilluan me urgjencë të premten nga një pjesë e mirë e shteteve. Zelanda e Re, Spanja dhe Australia janë ndër të parat që kanë përfunduar operacionet plotësisht.

Një total prej 111 mijë njerëz janë larguar nga Afganistani si pjesë e misionit të evakuimit.

Nga ana tjetër ka rreth 5 mijë e 400 afganë në aeroportin e Kabulit që presin fluturimet.

Mbretëria e Bashkuar hyn në fazat përfundimtare të evakuimit të saj në Kabul.

Ushtria gjermane evakuoi 5 mijë e 347 persona.

Ministria franceze e Mbrojtjes tha se, të enjten në mbrëmje, më shumë se 100 shtetas francezë dhe më shumë se 2 mijë e 500 afganë kishin arritur në tokën franceze pasi ishin evakuuar nga Kabuli.

Ndërkohë në Shqipëri kanë mbërritur 275 refugjatë afganë.

IS merr përgjegjësinë e sulmeve

Shteti Islamik (IS) ka marrë përgjegjësinë për sulmin në aeroportin e Kabulit.

Pretendimi erdhi në një mesazh të postuar në kanalin Telegram të lajmeve të tyre.

Grupi tha se një sulmues vetëvrasës – të cilin ata e identifikuan – shpërtheu një jelek shpërthyes midis afganëve dhe forcave amerikane.

Zyrtarët amerikanë të Mbrojtjes kanë thënë gjithashtu se ata besojnë se militantët rajonalë të IS-it ishin prapa bombardimit.

Biden: Nuk ka falje, do ta paguani këtë sulm

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka reaguar pas sulmeve të ndodhura dhe marrjes së përgjegjësisë nga IS-i.

“Ne nuk do të falim. Ne nuk do të harrojmë. Do t’ju gjejmë dhe do t’ju bëjmë të paguani”.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, e ka bërë të qartë përgjigjen ndaj grupit terrorist ISIS-K, i cili kreu disa sulme terroriste kamikaze.

Thuajse i përlotur, duke kujtuar kohën kur ai vetë ka qenë për gjashtë muaj pjesë e luftës së Kosovës, Biden shprehu ngushëllimet ndaj familjarëve.

Këto ditë, kreu i  Shtëpisë së Bardhë e ka përshkruar si jashtëzakonisht të vështirë.

Ai e ka theksuar se sulmet ishin të paralajmëruara. Gjithashtu, u ka garantuar amerikanëve se gjithçka po bëhet, qoftë nga Kabuli qoftë nga Ëashington-i mbi situatën.

Mbi të gjitha, nuk ka asnjë lëkundje për të përmbyllur misionin e evakuimit. Ai do të përfundojë sipas planit, brenda 31 gushtit.

Sulmi i paralajmëruar

Mbi sulmet, që ndodhën në aeroportin e Kabulit, paralajmërohej prej dy ditësh.

Disa vende evropiane e kanë lëshuar alarmin paralajmërues. Ndër to, edhe zyrtarë nga Britania e Madhe.

Tri porta aeroportuale janë të rrezikshme gjithsesi. Udhëzime u janë dhënë të gjithë personave të huaj apo afganëve, që kanë ndihmuar SHBA-të dhe NATO-n, se si të shkojnë në aeroport në mënyrë të sigurt.

IS-i ka një mundësi të shtojë praninë në disa pjesë të Afganistan nga ana tjetër. Mjete me mina të telekomanduara mund të shkaktojnë sulme dhe incidente të rënda në Kabul.

Një pikëpyetje e madhe është ngritur edhe mbi atë çfarë mund të ndodhë, pas tërheqjes së plotë të amerikanëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore