Përballje

Shkëndija e Tetovës shpallet zyrtarisht kampion i Maqedonisë së Veriut


Klubi i futbollit të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, Shkëndija, tashmë zyrtarisht ka fituar titullin kampion.

Shkëndija e Tetovës është zyrtarisht kampione e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut për herë të katërt në historinë e tyre.

Kuqezinjtë tetovarë, sikurse pritej, fituan 3:1 ndaj Borecit, duke ruajtur diferencën prej 13 pikësh ndaj Shkupit të vendit të dytë, e pamundur për t’u ngushtuar në katër javët e mbetura, pasi në lojë janë vetëm 12 pikë.

Skuadra e trajnerit Ernest Gjoka, nuk e filloi edhe aq mirë këtë ndeshje, duke u gjendur në disavantazh pas autogolit të shënuar nga futbollisti i tyre, Egzon Bejtulai.

Gjithsesi, në pjesën e dytë Shkëndija tregoi vlerat e saj të vërteta, duke e ndëshkuar tre herë kundërshtarin me Besart Ibraimin, Rubin Hebajn dhe Mevlan Muratin.

Një triumf përfundimtar më se i merituar për kuqezinjtë, pavarësisht një nisjeje me luhatje të kampionatit.

Megjithatë, tetovarët festuan para kohe titullin kampion në Ligën e Parë të Maqeonisë së Veriut, duke pësuar vetëm një humbje nga 29 ndeshjet që deri tani i kanë zhvilluar.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore