Shqipëria

SHBA-Shqipëri/ Memorandum Mirëkuptimi për objektet kulturore


Ambasada Amerikane në Shqipëri, nëpërmjet një komunikate zyrtare ka zbuluar firmosjen e një Memorandumi Mirëkuptimi (MoU) mes Ministrisë së Kulturës dhe Shteteve të Bashkuara, për disa kufizime në importin e disa kategorive të objekteve apo materialeve kulturore dhe arkeologjike.

E pranishme në takim ishte ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti, e cila u takua me Ndihmës Sekretarin e Shtetit në detyrë Matthew Lussenhop.

Sipas njoftimit të ambasadës, kjo ditë “shënjon një tjetër moment historik në shkëmbimet kulturore ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”.

Më tej, ambasada shton se kjo Marrëveshje do të forcojë dhe zgjerojë bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë në luftën kundër vjedhjes dhe trafikimit të objekteve kulturore nga Shqipëria”.

“Në 20 vitet e fundit, Shtetet e Bashkuara kanë treguar mbështetjen e tyre për të ruajtur trashëgiminë kulturore materiale dhe jo materiale të Shqipërisë përmes Fondit të Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore. Kjo marrëveshje dypalëshe për trashëgiminë kulturore është një angazhim i qeverisë së SHBA-ve për të mbrojtur humbjen e pazëvendësueshme të kësaj pasurie”, ravijëzon deklarata e publikuar në faqjen zyrtare të ambasadës.

Ata nënvizojnë në përmbyllje se mirëpresin bashkëpunimet me institucionet shqiptare për zbatimin me sukses “të kësaj Marrëveshjeje”.

Ndërkaq, ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim është shprehur krenare për këtë bashkëpunim, sipas saj, të rëndësishëm në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore