Lajme

“ShBA po ndjekë politikë anti-serbe”, ambasada amerikane, Dodik-ut: Zyrtarët e RS-së u sanksionuan për veprimet e tyre, jo për përkatësinë etnike


Ilustrim

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka reaguar presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska, Millorad Dodik, i cili në një konferencë për media së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, këtë të premte tha se ShBA-të po ndjekin një politikë “antiserbe”, kjo pas sanksioneve të fundit ndaj zyrtarëve të lartë të RS-së.

“Qeveria amerikane sanksionoi anëtarët e udhëheqjes së Republikës Srpska, sepse veprimet e tyre kërcënonin stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës, dhe jo për shkak të përkatësisë së tyre etnike”, thuhet në reagimin e ambasadës së ShBA-së në BeH.

Aty potencohet se është mjaft e qartë për të gjithë pse SHBA-të sanksionuan anëtaren serbe të Presidencës së BeH-së, Zheljka Cvijanoviç, kryetarin e Asamblesë Kombëtare të RS-së Nenad Stevandiç, kryeministrin e RS Radovan Vishkoviç dhe Ministrin e Drejtësisë Millosh Bukejloviç më 31 korrik, duke shtuar se pretendimet se këto sanksione janë “anti serbe” janë absurde.

“Dodik dhe kompania e tij mund të krijojnë histori dhe teori konspirative se ai dhe bashkëpunëtorët e tij janë viktima të disa politikave të sajuara antiserbe, por e vërteta është se qeveria amerikane i sanksionoi këta individë, sepse veprimet e tyre kërcënuan stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të BeH-së, dhe jo për shkak të përkatësisë së tyre etnike”.

Ndërkaq, ambasada amerikane shtoi se “injorohet fakti që njëri nga të sanksionuarit është kroat (ministri i drejtësisë Millosh Bukejloviç) dhe jo serb”, duke shtuar se personat e tjerë të sanksionuar “paraqiten si avatarë të popullit serb”.

“Ata janë individë dhe ata vetë janë përgjegjës për veprimet e tyre dhe për mbartjen e pasojave të atyre veprimeve, si (ish-drejtori i Shërbimit të Inteligjencës dhe Sigurisë së BeH) Osman ‘Osmica’ Mehmedagiç dhe (ish-kryetar i Federatës së BeH nga entiteti kroat) Marinko Çavara”.

Tutje, ata potencuan se ShBA-të kanë punuar ngushtë dhe ka ndihmuar njerëzit në mbarë BeH-në, përfshirë RS-në, për shumë vite, “duke investuar qindra milionë dollarë për t’i mbështetur ata dhe aspiratat e tyre për të jetuar në një vend paqësor, demokratik dhe të begatë që mundëson atyre, fëmijëve dhe nipërve të tyre mundësi për të përparuar”.

“Veprimet e katër politikanëve të papërgjegjshëm nuk e ndryshojnë dhe nuk do ta ndryshojnë përkushtimin e SHBA-së ndaj këtyre qëllimeve të përbashkëta”.

Ndryshe, Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj zyrtarëve të lartë të RS-së, përfshirë edhe ato ndaj tij, nuk janë të lehta, ndërsa pretendoi se ShBA “po ndjek një politikë anti-serbe”.

“Ata vendosën të marrin masa rigoroze ndaj RS. Kjo ishte një nga temat që diskutuam, për sanksionet jo të thjeshta dhe jo të lehta, të cilat vijnë nga një nga vendet më të mëdha në botë, që udhëheq një politikë anti-serbe, aq sa edhe sot ruan një status negativ drejt RS dhe Serbisë. Filloi me shpërbërjen e Jugosllavisë para kësaj”, pretendon ai, transmetojnë mediat boshnjake.

Pretendimi i Dodik-ut: ShBA po ndjek politikë anti-serbe

Të hënën Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj anëtares serbe të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviç, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë nga Republika Srpska, për shkak të minimit të Marrëveshjes së Paqes të arritur në Dejton më 1995 (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH), thuhet në njoftimin e Ambasadës së ShBA-së në Sarajevë.

Në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit janë futur edhe kryetari i Parlamentit të Republikës Srpska, Nenad Stevandiç, kryeministri i këtij entiteti, Radovan Vishkoviç dhe ministri i Drejtësisë në Republikën Srpska, Millosh Bukejlloviç.

Sipas thesarit amerikan zyrtarët e sanksionuar janë drejtpërdrejtë përgjegjës për inkurajimin e miratimit të vendimeve nga Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës Srpska për të shpallur vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës si të pavlefshme në këtë entitet. Me këtë veprim, sipas SHBA-së, ata kanë kërcënuar zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.

“Këto veprime kërcënojnë stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës dhe paqes të fituar me mund të mbështetur nga Marrëveshja e Dejtonit. Kjo sjellje kërcënon më tej trajektoren e të ardhmes së shtetit dhe integrimit të suksesshëm në institucionet euroatlantike”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizëm dhe Financimin e Inteligjencës, Brian E.Nelson.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim popullin e Bosnje e Hercegovinës në përpjekjet e tyre për sundim të ligjit dhe të sigurohemi që paqja dhe prosperiteti të mbizotërojnë”, shtoi ai

Presidenti i Republikës Srpska, Millorad Dodik, ka sponsorizuar ligjin që i shpallë të pavlefshme vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore