Lajme

Sërish shtrenjtohet produktet bazë të konsumit në Kosovë


Ilustrim

Produktet bazë të shportës së konsumatorit janë shtrenjtuar edhe më shumë muajt e fundit.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, buka, mishi, djathi, vezët e vajrat kanë shënuar ngritje të çmimeve.

Këto produkte janë bazë për shportën e konsumatorit. E paralelisht me çmimet edhe inflacioni mujor ka shënuar rritje.

“Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 1.0% në muajin tetor 2021, krahasuar me muajin shtator 2021. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (3.9%); mish (0.4%); qumësht, djathë dhe vezë (1.7%); vajra dhe yndyrëra ushqimore (2.9%)”.

Ilustrim

“Sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (2.1%); kafe, çaj dhe kakao (3.0%); gaz (5.1%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (5.8%); blerje e automjeteve (3.2%)”.

“Karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (6.2%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.3 për qind në IHÇK”, thuhet në raportin e ASK-së.

Ndërsa sipas, ASK-së, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet pemë (-2.2%) dhe veshje (-2.0%).

Në anën tjetër, norma vjetore e inflacionit e matur në muajin tetor 2021 me muajin tetor 2020 ishte më e lartë për 5.7%.

Me termin inflacion përcaktohet rritja e çmimeve bazë të konsumit dhe shërbimeve, ose anasjelltas shkalla e rënies së fuqisë blerëse të konsumatorit. Për ta thjeshtësuar, inflacioni është një masë që tregon se sa njësi të mallrave/shërbimeve mund të blihet nga një konsumator me një euro.

Për shembull, në qoftë se ne mund të blejmë dy litra qumësht me 2 euro, efekti i inflacionit prej 2% në çmim çon rritjen e çmimit të produktit me 4 cent, në 2.04 euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore