Lajme

“Serbia parajsë për kriminelët që kanë ikur nga Kosova”


Milan Radojiçiç

Për Ehat Miftarajn nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Serbia nuk ka pasur vullnet për të bashkëpunuar në çështjet e transferimit të personave të dënuar apo arrestimit dhe ekstradimit të qindra personave që kanë kryer krime në Kosovë dhe kanë ikur në Serbi.

Rrjedhimisht, Serbia, sipas tij, “është bërë parajsë për kriminelët”.

Zyra e Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së në Prishtinë (EUSR) i ofroi REL-it të dhëna nga viti 2020 deri në shtator të këtij viti, sipas të cilave, Kosova ka bërë 1.460 kërkesa në Serbi për lëndë të ndryshme gjyqësore, ndërsa përgjigje ka marrë në 415 prej tyre.

Ndërsa nëntë muajt e parë të këtij viti, sipas EUSR-së, Kosova ka bërë 211 kërkesa dhe përgjigje ka marrë për 17. Serbia, në anën tjetër, asnjë kërkesë, asnjë përgjigje.

Aktualisht Kosova është duke bërë thirrje që Serbia t’i dorëzojë pjesëmarrësit në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, që besohet se gjenden atje.

Për ekstradimin e kriminelit Milan Radojiçiç nga Serbia në Kosovë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati theksuar se po e presin vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për të kërkuar zyrtarisht fletë-arrest ndërkombëtar për të.

“Legjislacioni vendor dhe konventat ndërkombëtare parashohin që gjykimi ndaj terroristit Radojiçiç të bëhet në Republikën e Kosovës, sepse sulmi ka ndodhur në territorin e saj. Para pak ditësh pamë një bastisje në pronat e terroristit Radojiçiç, po ashtu do të ketë edhe konfiskime të tjera të pasurisë së tij”, pati thënë Haxhiu.

Krimineli Radojiçiç duhet të gjykohet në Kosovë, thotë Haxhiu

Radojiçiç e mori përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila e ka mbështetjen e Qeverisë serbe.

Rreshteri i Policisë së Kosovës, tashmë i nderuar me titullin ‘Hero i Kosovës’, Afrim Bunjaku, u vra në orët e para të 24 shtatorit në fshatit Banjskë që banohet kryesisht me shumicë serbe nga një grup i organizuar terrorist i cili ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë, të cilët janë sponsorizuar dhe mbështetur nga shteti serb.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore