Lajme

Scholz drejtuar Qeverisë maqedonase: Pranoni propozimin francez, ju duam në BE


Një letër e hapur drejtuar Qeverisë së Maqedonisë së Veriut ka ardhur nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Ai nëpërmjet saj ka kërkuar miratimin e propozimit francez, duke e cilësuar këtë të fundit si një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e vendit.

“Ne e duam Maqedoninë e Veriut si anëtare të BE-së”, thekson kancelari gjerman.

Ai shkruan se e kupton padurimin e popullit – marrë shkas nga protestat e fundit – por ky miratimin do ta sillte Maqedoninë e Veriut një hap shumë më afër anëtarësimit në BE.

“Vendi juaj ndodhet sërish para një vendimi të rëndësishëm për të ardhmen e tij. Dëshironi ta pranoni kompromisin evropian? Kështu mund të mbahet më në fund Konferenca e Parë Ndërqeveritare – shtatëmbëdhjetë vjet pas dhënies së statusit të një vendi kandidat për në Bashkimin Evropian”.

Sipas tij pranimi do ta sjellë RMV-në një hap më afër anëtarësimit në BE dhe do të kapërcejë bllokadën.

Scholz siguron që padurimin nga pala maqedonase po e përjeton njëjtë si ta.

“Unë e kuptoj kur ju thoni: Neve për një kohë të gjatë na është premtuar shumë. Shumë është kërkuar prej nesh. Unë e kuptoj kur ju keni dyshime, nëse me këtë hap vërtet rruga drejt anëtarësimit për në BE është e hapur”, shprehet ai.

Pavarësisht se kërkon miratimin e këtij propozimi, kancelari gjerman shkruan se procesi i anëtarësimit në BE nuk do të jetë i lehtë.

“Pengesa të tjera do të duhet të kapërcehen. Por unë them po ashtu: bashkë do t’i përballojmë detyrat që kemi përpara. Sepse ne ju duam si anëtarë të këtij Bashkimi Evropian!”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore