Lajme

Rusia fiton 1 miliard dollarë në muaj nga tregtia me SHBA-të


Rusia vazhdon të furnizojë Shtetet e Bashkuara me mallra me vlerë më shumë se një miliard dollarë në muaj.

Kjo, pavarësisht sanksioneve të vendosura ndaj Federatës Ruse për shkak të pushtimit të plotë të Ukrainës.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Associated Press”.

Sipas vlerësimeve të agjencisë, që nga fundi i shkurtit, më shumë se 3 mijë e 600 dërgesa druri, metale, gome dhe mallra të tjera kanë mbërritur nga Rusia në Shtetet e Bashkuara.

Kjo është pothuajse gjysma për të njëjtën periudhë të vitit 2021 ( rreth 6 mijë dërgesa).

Ndër artikujt më të mëdhenj të mallrave në importet ruse në SHBA janë druri (1 mijë e 294 lote), metalet (909 lote), ushqimi (341), nafta dhe gazi (209), goma (179), plehra (102), pjesë këmbimi (67)) dhe materiale radioaktive dhe municione (47 secila).

Siç shpjegon kreu i Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve të Departamentit Amerikan të Shtetit, Jim O’Bryan, është e pamundur të bllokohet plotësisht tregtia me Rusinë.

Kjo, pasi mund të ndikojë negativisht në tregtinë botërore; për më tepër, në disa raste sanksione të tilla do të dëmtonin më shumë SHBA-të sesa Rusinë.

Një arsye tjetër e cituar nga AP-ja është konflikti me sanksionet e Britanisë dhe BE-së, duke rezultuar në konfuzion, pasi ato dhe SHBA publikojnë lista të veçanta sanksionesh.

Si rezultat, të paktën një kompani ruse që furnizon me metal industrinë ruse të mbrojtjes ende tregton me firma amerikane dhe evropiane.

Në disa raste, është e vështirë për autoritetet doganore amerikane të përcaktojnë vendin e origjinës së mallrave: për shembull, kompanitë amerikane vazhdojnë të importojnë naftë nga Kazakistani përmes porteve ruse, edhe nëse ajo është e përzier me ruse.

Në të njëjtën kohë, shumë kompani amerikane, vëren AP-ja, vendosin të refuzojnë mallrat ruse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore