Lajme

Rivarrosen shtatë viktimat e masakrës së Rezallës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Të shtunën më 9 tetor, në Rezallë të Skenderajt, u rivarrosën mbetjet mortore të shtatë personave, që u vranë në luftën e fundit në Kosovë më 1998-99.

Mbetjet mortore të këtyre shtatë viktimave u gjetën në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë. Disa mbetje mortore të dy viktimave ishin gjetur më herët në Rudnicë të Serbisë dhe iu bashkuan mbetjeve të tjera mortore që u gjetën në Kizhevak.

Në këtë ceremoni të rivarrimit përvec familjarëve kanë marrë pjesë edhe krerët shtetërorë dhe komunal, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Skenderaj, Bekim Jashari si dhe Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbajtjes së fjalimit të tij u shpreh se është e vështirë të gjejmë fjalë mjaftueshëm për të përshkruar këtë ngjarje.

“Është e vështirë të gjejmë fjalë mjaftueshëm të fuqishme për të përshkruar forcën, guximin dhe durimin tuaj të palëkundshëm përgjatë këtyre viteve. Sot, 22 vite e gjysmë pas ditës të kobshme, po kthehen për të pushuar përjetësisht në tokën e tyre: Shefqeti, Sadriu, Dibrani, Jonuzi, Hetemi, Neziri, Nazifi, Veseli e Behrami”.

Duke thënë se “Të pushkatuar me pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj në Rezallë, më 5 prill të vitit 1999, nga forcat e shtetërore të Serbisë, u rrëmbyen e groposen, në varreza masive në Kizhevak e Rudnicë të Serbisë”.

Kurti, theksoi se e vërteta nuk mund të groposet e mbulohet në varreza masive.

“Këto varre këtu janë e vërteta, janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë, kemi obligim që të bëjmë gjithë sa mundemi e dimë që t’i prejmë rrugën drejtësisë së munguar për krimet çnjerëzore të kryera nga forcat policore serbe dhe ushtria jugosllave gjatë luftës në Kosovë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, gjatë ceremonisë e cilësoi si njëra ndër masakrat më të pamëshirshme të kryera nga policia dhe ushtria serbe.

“Këta u vranë në njërën nga masakrat më të pamëshirshmet nga policia dhe ushtria serbe. Për të qenë dëshmitar disa ditë më vonë bënë krimin e dytë, lanë familjarët në ankth tash e disa vite”, deklaroi ai.

Sipas Jasharit, këto masakra dhe këto arkivole janë arkiva e cila dëshmon vazhdimisht se kush ishin vrasësit.

“Këto masakra, këto arkivole janë arkiva, e cila dëshmon vazhdimisht se kush ishin vrasësit. Fatkeqësisht edhe pas kaq shumë vitesh kriminelët e kësaj masakre nuk kanë dalë para drejtësisë ata ende enden të lirë pa u ndëshkuar”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Rezallë të Skenderajt.

Kryetari Jasahari në fund të fjalimit ndau mirënjohje për mjekësin ligjore. Më 30 shtator kanë arritur në Kosovë eshtrat e viktimave të masakrës së Rezallës.

Viktimat ishin nga fshati Rezallë, ku më 5 prill të vitit 1999, në masakrën e kryer në këtë fshat u vranë 98 persona.

Kryetari i Skenderaj, Bekim Jashari.

Shumë shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi, të cilët ishin bartur nga forcat serbe për t’i fshehur krimet. Deri tash nga Serbia në Kosovë janë kthyer mbetje mortore të rreth një mijë personave. Rreth një mijë e 600 persona, kryesisht shqiptarë, vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore