Shqipëria

Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë – Thikë me dy presa për Shqipërinë


“Lojë e ulët”, e cilësoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, propozimin e projekt-rezolutës “Për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinë”, e cila u pasua me rrëzimin e saj nga shumica parlamentare në seancën e së enjtes së 12 majit.

“Në kohën e gabuar” dhe “pa asnjë kontekst”, e argumenton propozimin e kësaj rezolute gazetari dhe analisti Aleksandër Çipa.

Më tej, për Albanian Post, ai thotë se kjo risjellje në vëmendje e masakrës, ndodh vetëm për motive personale të ish-liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Madje, sipas Çipës, Shqipëria ka vite që i është bashkuar Perëndimit për gjenocidin e Srebrenicës.

“Rezoluta është ezauruar në qëndrimin politik të Shqipërisë zyrtare që në vitin 1995-1996. Atëherë Parlamenti i Shqipërisë është bashkuar në qëndrimet që mbajtën shumica e parlamenteve të vendeve evropiane që dënuan gjenocidin serb në Srebrenicë”.

Çipa i mëshon faktit se propozimi është bërë vetëm e vetëm “me qëllim përfitimi personal dhe dashakeqës nga Berisha”.

“Rezoluta u propozua në parlament për motive personale të një personi, i cili është në kohën më të errët të jetës dhe karrierës politike, është një shërbim që ka kontekstin e vlerës antikombëtare”.

Analisti përmbledhtazi e cilëson “malinjitet”, përdorimin e historisë politike të Ballkanit dhe kryesisht të asaj historie që është aspekti më i zi në Ballkan.

Si mund t’i shmangej parlamenti një loje të tillë?

Njëjtë si kryeministri Rama, edhe Çipa e mendon këtë projekt-rezolutë si “lojë” të Berishës.

Apo më keq akoma, thotë analisti, “një kurth brenda parlamentit që e ngriti një politikan i vjetër, i cili e njeh fort mirë lojën individuale”.

Gjithçka që mund të kishte bërë opozita, sipas analistit, ta shmangte me inteligjencë dhe “të mos binte në kurth”.

“Ta eklipsonte”, shpjegon ai, “duke i mbivendosur një qëndrim zyrtar të kërkesës zyrtare që Kosova bëri për të qenë anëtare e Këshillit të Evropës”.

Nga ana tjetër, për politologun Nexhmedin Spahiu, rezoluta më shumë se çdo gjë kishte të bënte me “arsye morale e politike”.

Për Albanian Post, ai argumenton se rezoluta duhej të votohej, pavarësisht se “nga kush është propozuar dhe çfarë kredibiliteti moral e politik ka propozuesi”.

Por, deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, në kundërshtim me atë çka shpjegon Spahiu se “nuk ka rëndësi se kush e ka propozuar projekt-rezolutën”, thotë se nëse parlamenti do të pranonte rezolutën e Berishës, “do ishte njëfarë mënyre, një lloj amnistie ndaj thyerjes së embargos ndaj Sllobodan Millosheviçit”.

“Pra nëse parlamenti sot do të votonte një projekt të propozuar prej tij që, në thelb duket krejt normale, sepse dënon një masakër gjenocidi do t’i bënte një lloj amnistie të gjithë atij veprimi që zgjaste për një kohë të gjatë që thyente embargon ndaj ish-Jugosllavisë”, thekson deputeti për Albanian Post.

Në përmbyllje, Koçi shpreh bindjen se Parlamenti ka vepruar në mënyrën e duhur, ndonëse sipas tij “janë të gjitha mundësitë që rezoluta të miratohet duke angazhuar të tjerë propozues”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore