Shqipëria

Edi Rama: Rezoluta e Berishës për Srebrenicën, lojë e ulët nga thyerësi i embargos ndaj Millosheviçit


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar nëpërmjet një statusi në Twitter për rrëzimin në parlament të rezolutës “Për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinë”.

Sipas numrit një të qeverisë, propozimi i rezolutës është lojë e ulët e ish-liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

“Ata që hidhen përpjetë për gjoja dështimin e një rezolute mbi Srebrenicën në parlamentin shqiptar, si fillim duhet të pyesin po ç’ne kjo rezolutë sot, pse, me ç’rast? Pastaj duhet të informohen mbi tekstin në fjalë dhe në fund duhet ta mësojnë se ajo s’ishte rezolutë po lojë e ulët!”, shkruan Rama në Twitter.

Më tej, ai e cilëson propozimin e rezolutës “një lojë e ulët e një të shpalluri nga SHBA si i korruptuar dhe minues i demokracisë, që njihet botërisht edhe si thyerësi i embargos ndaj Sllobodan Millosheviçit dhe që kapet deri edhe pas kockave të viktimave të kasapit të Beogradit, për t’u ringjallur nga varri i tij politik!”

Numri një i Qeverisë, shkroi gjithashtu se “keqardhje për ata që pa e pasur idenë fare të kësaj loje të ulët, ndjehet gabimisht të lënduar dhe neveri për ata që i shkojnë pas avazit të një të damkosuri si katran me bojë”.

Srebrenica, sipas tij, “nuk mund të jetë letër për bojën e katranit të Shqipërisë!”

Ai shpjegoi edhe se “Parlamenti sot nuk ka rrëzuar asnjë rezolutë për Srebrenicën, po thjesht ka refuzuar të fusë në procedurën trejavore parlamentare një dokument të ardhur nga Katrani, siç do të bëjë me çdo letër që do të ketë bojën e tij!”

Propozimi i Shehut

Paraditen e së mërkurës, deputeti i PD-së, Tritan Shehu, doli në një deklaratë për mediat, ku tha se mazhoranca nuk pranoi rezolutën “Për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinë”, duke e akuzuar këtë si një “akt i rëndë”.

“Nuk prisja këtë qëndrim që mbajtën të majtët. Jam i befasuar, sepse ata nuk pranuan që kjo rezolutë të kalojë në parlamentin shqiptar”.

Deputeti i PD-së, Tritan Shehu

Sipas Shehut, rezoluta ka kaluar në Parlamentin Evropian (PE) dhe në vendet fqinje si Kosova dhe Mali i Zi.

“Parlamenti shqiptar deri sot nuk ka kaluar asnjë dokument për të dënuar këtë gjenocid, siç ka bërë PE, gjë që krijon një impakt shumë të madh për Kuvendin e Shqipërisë. Akt shumë i rëndë bllokimi i kësaj rezolute që ka kaluar në Kosovë, Mal të Zi”.

Sipas deputetit, ky bllokim i kësaj rezolute, që ka përkuar me një kohë kur problemet në Evropë janë të vështira pas agresionit rus në Ukrainë dhe kur Serbia s’ka pranuar sanksionet kundër Rusisë, do të thotë “të jesh i detyruar shumë të mos pranosh të hapësh një kërkesë kaq të vlefshëm që do të kërkonte jo dënimin, por kërkesën për falje”.

“Sipas qëndrimit që mbajti PS, shpresoj që nesër seanca plenare do vendosë të kundërtën, nuk do lejojnë këtë aventurizëm që të majtët sot në konferencën e kryetarëve ndërmorën”, tha Shehu.

Debati Balla – Shehu

Fill pas deklaratës së Shehut, kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste (PS), Taulant Balla, u shpreh se Shqipëria e ka dënuar masakrën e Srebrenicës, duke mbështetur edhe rezolutat e OKB-së.

Dalja e tij për mediat ishte kundërpërgjigje ndaj Shehut, i cili tha se mazhoranca nuk pranoi rezolutën “Për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të  Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinë”, dhe e akuzoi këtë si “akt të rëndë”.

“Për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, të gjithë biem dakord që Shqipëria e ka dënuar këtë masakër. Shqipëria ka qenë mbështetëse e rezolutave në OKB dhe OSBE për dënimin e gjenocidit dhe kemi përshëndetur vendimmarrjet e Gjykatës së Hagës ndaj autorëve të kësaj masakre”.

Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla

Balla gjithashtu iu drejtua edhe deputetit të Partisë Demokratike (PD), Tritan Shehu, i cili propozoi në Kuvend rezolutën “Për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinë”.

“Në këtë kontekst kemi pasur një propozim me propozuesin Tritan Shehu, i kam kërkuar që këto çështje të kenë dakordësinë e të gjitha palëve dhe askush nuk duhet të marrë protagonizmin”.

Votimi i rezolutës

Votohet kundër rezoluta “Për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinë” e propozuar në Kuvend nga deputeti i Partisë Demokratike (PD), Tritan Shehu.

“Votuat sipas urdhrit të Aleksandër Vuçiç. Shqipëria nuk ka pasur kurrë më anti-shqiptar se Edi Rama. Votuat duke shkelmuar mbi jetët e 10 mijë shqiptarëve në Kosovë”, tha ish-kryeministri Sali Berisha menjëherë pas votimit.

Më herët, gjatë fjalës së tij në Kuvend u shpreh se njohja e gjenocidit në Srebrenicë është një akt i domosdoshëm për kombet dhe shoqëritë e civilizuara.

“Kjo seancë shënon një moment të rëndësishëm, në jetën e këtij parlamenti dhe po kaq me rëndësi për kombin shqiptar. Nisma e deputetëve të Grupit të Partisë Demokratike për të dënuar gjenocidin serb në Bosnjë është nismë që synon nderimin e 8 mijë viktimave të Srebrenicës, në tërësi burra dhe djem të besimit myslimanë”.

Sipas tij, udhëheqësit aktualë me në krye “Aleksandër Vuçiç janë arkitektë të këtij gjenocidi”.

“Kemi detyrim për të dënuar këtë. Vuçiç tha për çdo serb të vriten 100 boshnjakë. Shqipëria ndihmoi gjatë luftës në Bosnjë në të gjitha mënyrat”.

Pas Berishës fjalën në Kuvend e mori kreu i Grupit Parlamentar të socialistëve, Taulant Balla i cili lëshoi akuza në drejtim të ish-kryeministrit duke e bërë dhe atë përgjegjës për masakrën e Srebrenicës dhe “sa i përket luftës së Kosovës, mbetesh tradhëtari më i madh”.

Balla tha se Berisha për disa vite ka furnizuar makineritë e luftës me karburant, gjë që sipas tij e konfirmojnë edhe raportet amerikane.

“Gjenocidi serb, nga ushtria jugosllave është ushqyer me naftën prej teje. Kjo çështje nuk mbyllet sot. Në 25 prill të 1995, pra rreth 3 muaj nga dita e ndodhjes së kësaj tragjedie, gazeta New York Times publikon një raport, ku thuhej se Shqipëria po furnizon me naftë kontrabandë ushtrinë serbe në Bosnjë”.

Balla, mes të tjerash, paralajmëroi Berishën se pas 4 vitesh nuk do të jetë më deputet në këtë sallë.

Sqarimi i Ballës për rrëzimin e rezolutës

Balla, në një deklaratë për mediat jashtë selisë së Kuvendit ka sqaruar se rrëzimi i rezolutës së propozuar nga Sali Berisha për dënimin e masakrës në Srebrenicë, nuk ka të bëjë me përmbajtjen e saj.

Por se mazhoranca nuk do të votojë kurrë një propozim të ardhur nga një person i shpallur non grata, Sali Berisha.

“Dua të sqaroj se qëndrimi ynë kishte dhe ka të bëjë me faktin se njëri prej deputetëve propozues quhet Sali Berisha, i cili me vendimin që ne kemi marrë, është i papranueshëm për çfarëdolloj propozimi”, tha Balla në fjalën e tij.

Sipas deputetit të PS-së, qëndrimi i Shqipërisë ndaj masakrës serbe në Srebrenicë është tepër i qartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore