Kosova

Kurti sulmon Francën dhe Gjermaninë: Mungesa e përkrahjes është për keqardhje – pengesat për anëtarësim në KiE i mendonim nga vendet që ende s’na kanë njohur


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i zhgënjyer me kërkesën e Francës dhe Gjermanisë të cilat kanë kërkuar shtyrjen e vendimit për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, derisa Qeveria të dërgojë draftstatuin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese.

“Pengesat për anëtarësim në këtë organizatë i mendonim nga vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por assesi nuk mendonim që pengesë do të bëheshin shtetet demokratike, që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillim e demokraci, e më herët ishin krah neve për çlirim”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

“Mungesa e përkrahjes është për keqardhje”, ka theksuar ai duke thënë se ajo nuk i ndihmon normalizimit.

Të hënën, AP ka raportuar se vendet e QUINT-it i kanë kërkuar kryeministrit Kurti që të bëjë përparime në çështjen e Asociacionit duke e dërguar statutin për shqyrtim në Kushtetuese.

Duke marrë parasysh faktin se përkundër zotimeve Qeveria nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim, Franca ka bërë një demarsh te vendet anëtare të KiE-së, duke kërkuar shtyrjen e vendimit për Kosovën.

Vlen të theksohet se këtë qasje nuk e ka mbështetur edhe Mbretëria e Bashkuar, sipas së cilës, çështja e Asociacionit si produkt i bisedimeve të Brukselit nuk duhet të ngatërrohet me çështjen e anëtarësimit në KiE.

Kurti e cilëson “absurde” kërkesën e Francës dhe Gjermanisë për dërgimin e draftstatutit të Asociacionit në Kushtetuese para anëtarësimit në KiE

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore