Lajme

Kosova nën sanksionet e BE-së shënon Ditën e Evropës pa progres drejt integrimeve


Ilustrim

Duke reflektuar mbi arritjet e vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se vendi i vogël ballkanik ka më shumë arsye për të shënuar Ditën e Evropës, derisa përmendi dorëzimin e aplikacionit për anëtarësim në Bashkim Evropian (BE), nënshkrimin e vendimit për liberalizimin e vizave, si dhe kalimin e fazës së parë të anëtarësimit në Këshill të Evropës (KiE).

Megjithatë, pavarësisht vrullit në procesin e zgjerimit për shkak të agresionit rus në Ukrainë, vendi shënoi një progres të kufizuar drejt integrimeve. Kosova dorëzoi dokumentacionin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por blloku ende s’e ka shqyrtuar. Dhe arsye për këtë janë kryesisht tensionet e vazhdueshme në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit.

Në këtë mënyrë, në procesin e zgjerimit ndodhen dhjetë vende, nëntë prej të cilave kanë statusin e vendit kandidat. Kosova vazhdon të mbetet shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk nuk e ka fituar statusin e vendit kandidat. E sanksionet e vendosura nga BE-ja kundër Kosovës vitin e kaluar, për të parën herë qysh nga shpallja e pavarësisë, zor se mund të injorohen.

Sa i përket anëtarësimit në KiE, ndonëse u mbështet nga shumica dërrmuese e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të KiE-së muajin e kaluar, shtetet perëndimore i vendosën Kosovës një kusht: ndërmarrjen e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nëse dëshiron që përfundimisht të bëhet anëtarja më e re e kësaj organizate.

Duke u lidhur me deklaratën e kryeministrit Kurti se kosovarët kanë më shumë arsye për të shënuar Ditën e Evropës, ish-ministri i Integrimeve Evropiane të Kosovës, Bekim Çollaku, konsideroi se pa angazhime të qarta dhe veprime konkrete, deklaratat e liderëve shtetërorë nuk janë të mjaftueshme për t’i adresuar sfidat ekzistuese në rrugën evropiane të vendit.

“Kosova ka nevojë për një angazhim të qartë dhe të vazhdueshëm në fushat e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik, për të përmirësuar pozicionin e saj në sytë e BE-së dhe për të bërë përparim në rrugën evropiane”, deklaroi ish-ministri kosovar, ndërsa për mungesën e progresit në integrimet evropiane fajësoi lidershipin aktual.

“Koha që qytetarët të heqin dorë nga mbeshtetja për liderët populistë, dhe në vend të tyre të mbeshtesin liderët racionalë dhe pragmatikë, të cilët e kuptojnë rëndësinë e aleancave strategjike me partnerët amerikanë dhe evropianë”, shtoi Çollaku, duke iu referuar degjenerimit të bashkëveprimit diplomatik ndërmjet autoriteteve kosovare dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Sidoqoftë, ai nënvizoi se shënimi i Ditës së Evropës mund të jetë një moment i duhur për të rifokusuar vëmendjen e qytetarëve dhe liderëve politikë mbi rëndësinë e integrimeve evropiane, si dhe për të theksuar nevojën për reformat e brendshme për përparimin e mëtejshëm. Por, vëren Çollaku, një pengesë serioze mbetet mungesa e njohjes nga pesë shtetet brenda BE-së.

E dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën patronazhin e BE-së është shoqëruesi i paevitueshëm i rrugës evropiane të Kosovës, derisa vendet mosnjohëse – Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumani dhe Qipro – në një mënyrë ose tjetër, pengojnë rrugëtimin e mëtejshëm të Kosovës.

Ndërkohë, derisa vendet në Ballkanin Perëndimor anëtarësimin në BE e përjetojnë sikur njëfarë kthimi në familjen e madhe evropiane, shumë nga shtetet anëtare kanë një qëndrim skeptik, posaçërisht ndaj një rajoni të rrethuar nga armiqësitë etnike. Arsyet për këtë distancë janë të ndryshme, por kryesor është fakti se nuk duan të pranojnë në bllok shtete problematike.

Gjithashtu, anëtarësimi i Kosovës në KiE për momentin nuk është në agjendën e Komitetit të Ministrave – organi vendimmarrës i organizatës – i cili do të mblidhet midis 16 dhe 17 majit në Strasburg të Francës. Kjo ka të ngjarë të çojë në shtyrjen e vendimit për Kosovën – ndoshta – për të paktën një vit, nëse jo më shumë, përveç nëse bëhet progres javët në vijim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore