Kosova

Në opozitë s’ka konsensus për shpërndarjen e kuvendit – pushteti kërkon unitet për zgjedhje të parakohshme


Ilustrim

Përkundër që partitë politike shprehën sërish gatishmëri për zgjedhje të parakohshme parlamentare, akoma nuk ekziston një konsensus në mesin e subjekteve opozitare për thirrjen e një seance të posaçme për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, derisa pushteti u fsheh pas thirrjes për unitet brenda opozitës në mënyrë që t’u hapet rruga zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila, në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, deklaroi se akoma nuk ekziston një kërkesë zyrtare për shpërndarjen e legjislativit, derisa shtoi se nevojitet unitet në mesin e partive opozitare për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Ne asnjëherë nuk kemi thënë që kemi frikë nga shkuarja në zgjedhje apo rikonfirmimi i mandatit, por nuk mund ta bëjmë këtë nëpërmjet një grupi të vetëm parlamentar të opozitës. Nëse është një opozitë e bashkuar që kërkon shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, mund të dakordohemi për datën e përbashkët”, potencoi Kusari-Lila të hënën para gazetarëve.

Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), theksoi se shtatori duhet ta gjejë Kosovën me një qeveri të re, derisa ftoi opozitën ta mbështesë mocionin për shpërndarjen e kuvendit në mënyrë që vendi të shkojë drejt ciklit të jashtëzakonshëm elektoral, duke e konfirmuar njëkohësisht se akoma nuk ekziston pajtueshmëri për këtë.

“Jemi në afatet e fundit kohore kur duhet të procedohet mocioni për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës në mënyrë që vendi ynë t’i drejtohet kutive të votimit më 30 qershor apo 7 korrik, ashtu sikurse kemi propozuar. Fatkeqësisht, ende nuk kemi dakordancë mes grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme”.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kërkojnë dorëheqjen ose shkarkimin e qeverisë së udhëhequr nga kryeministri kosovar, Albin Kurti, pastaj caktimin e datës, ndërsa LVV-ja dhe PDK-ja insistojnë se mënyra e vetme për zgjedhje të parakohshme në vend është shpërbërja e kuvendit nëpërmjet një mocioni të përbashkët.

E shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, theksoi nevojën që qeveria Kurti të marrë përgjegjësinë për “dështimet” nëpërmjet dorëheqjes, por assesi nëpërmjet shpërndarjes së kuvendit, derisa refuzoi propozimin e PDK-së që mandati i qeverisë aktuale të shkurtohet nëpërmjet një mocioni – shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së nuk u deklarua për media.

“Shpërbërja e kuvendit në këtë fazë nënkupton një dalje për qeverinë Kurti, në njëfarë forme marrjen e fajit nga kuvendi për dështimin e qeverisë. Shpërbërja duhet të vijë vetëm atëherë kur ta shkarkojmë një qeveri të dëmshme, vetëm atëherë kur të japë dorëheqje ajo, por në asnjë situatë kuvendi të marrë një përgjegjësi që nuk i takon”, u shpreh Tahiri.

Ndryshe, partitë veçse kanë nisur të mobilizohen për shkak të mundësisë së zgjedhjeve të reja pak para përfundimit të mandatit të qeverisë së drejtuar nga LVV-ja – mandati katërvjeçar i ekzekutivit aktual përfundon në shkurt të vitit 2025 – ndërkohë që për shkak të zhvillimeve aktuale, mundësia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme përgjatë këtij viti nuk mund përjashtohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore