Sport

Rezervat e Dortmund-it shembin Augsburg-un, Bayern-i bie përballë Stuttgart-it


Bundesliga gjermane ka përfunduar katër takimet e orës 15:30 të kësaj të shtune. Borussia Dortmund-i ka arritur një fitore të madhe në shifrat 5-1 ndaj Augsburg-ut, ndërsa Bayern Munich është mundur 3-1 nga Stuttgart-i në transfertë.

“Signal Iduna Park”, priti takimin e javës së 32-të në Bundesliga, ku verdhezinjtë kishin dalë në fushë me një pjesë të mire të formacionit të dytë. Dhe, si për çudi fitorja e tyre ishte me shifra të larta.

Gregor Kobel, Donyell Malen dhe Niklas Sule ishin lojtarët e vetëm nga formacioni bazë i Dortmund-it që u përfshinë nga minuta e parë në duelin e sotëm.

Seria e golave për verdhezinjtë u hap nga Youssoufa Moukoko dhe u pasua nga Malen dhe Marco Reus brenda pjesës së parë, si dhe një tjetër gol nga gjermani 19-vjeçar. Ruben Vargas do të realizonte golin e miqëve gjatë kësaj pjese.

Në pjesën e dytë do të vinte edhe goli i pestë për Borussia-n, i shënuar nga mesfushori Felix Nmecha.

Me rezultatin e arritur, BVB shkon në kuotën e 60 pikëve, në vendin e pestë në Bundesliga, tre më pak se Leipzig. Me një vend shtesë që liga gjermane përfitoi për në Champions League, verdhezinjtë tashmë e kanë siguruar kualifikimin në kompeticionin më prestigjoz për klube në Evropë.

“MHP Arena” ishte dëshmitare e një tjetër rënie të Bayern-it këtë sezon. Stuttgart-i, skuadra e cila ka surprizuar jo pak, arriti të hakmerret për humbjen 3-0 në takimin e fazës së parë të kampionatit duke e mundur Bayern-in 3-1.

Leonidas Stergiou hapi rezultatin e ndeshjes duke kaluar në avantazh Stuttgart-in gjatë pjesës së parë. Megjithatë, Harry Kane do të barazonte shifrat në 1-1 disa minuta më vonë me 11 metërsh.

Por, vendasit nuk do të dorëzoheshin dhe do të gjenin dy gola brenda harkut kohor të 10 minutave në fundin e pjesës së dytë. Fillimisht realizoi Woo-Yeong Jeong dhe më pas Silas Katompa Mvumpa.

Pavarësisht humbjes, Bayern qëndron ende në vendin e dytë në Bundesliga me 69 pikë. Por tashmë Stuttgart-i i afrohet me vetëm dy pike diferencë.

Në takimet e tjera të ditës në Bundesliga u arritën rezultatet: Bremen 2-2 Gladbach dhe Wolfsburg 3-0 Darmstadt.

Java e 32-të në Bundesliga nisi të premten me takimin Hoffenheim 1-1 Leipzig.

Bundesliga do të vijojë këtë të shtunë me ndeshjen e fundit të ditës, atë mes Koln-it dhe Freiburg-ut, e caktuar për të filluar nga ora 18:30.

Të dielen do të luhen ndeshjet: Union Berlin – Bochum, Frankfurt – Leverkusen dhe Hidenheim – Mainz.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore