Lajme

Rasti “Dehari”: Familja dhe avokati Gashi kërkojnë përjashtimin e prokurorit, Afrim Shefkiu


Familja Dehari dhe avokati, Tomë Gashi.

Familja Dehari dhe avokati, Tomë Gashi kanë kërkuar përjashtimin e prokurorit Afrim Shefkiu nga rasti i vrasjes së Astrit Deharit

Gashi përmes një konferencë për media ka bërë të ditur se kërkesa është dërguar të enjten tek ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

“Ekspertiza shtesë e vërteton manipulimin e provave, prokurori as që do të na informojë. I vetmi person përgjegjës është vetë prokurori dhe nëse ai në këtë situatë nuk përgjigjet e bën atë që të mos jetë neutral dhe i paanshëm. Për këtë arsye dhe arsye të tjera ne kemi kërkuar përjashtimin e tij. Prokurori t’i ftojë ekspertët e pavarur, Besim Ymaj dhe Besim Latifin pasi në trupin e Astrit Deharit janë konstatuar plagë të cilat i ngjajnë goditjes me boks”.

Tutje, ai ka sqaruar se neglizhenca e prokurorit Shefkiu ka bërë që të vijnë deri tek marrja e një vendimi të tillë.

“I kemi tri ekspertiza që vërtetojnë vrasjen e Astrit Deharit dhe prokurori është neglizhent saqë nuk është e mundshme që të besojmë se një prokuror shqiptar i Republikës së Kosovës, të jetë kaq neglizhent. Nuk përgjigjet me asnjë fjalë kërkesave tonë të ligjshme sepse ai në media ka deklaruar se do të jetë bashkëpunues me familjen Dehari”, ka thënë Gashi.

Avokati, Tomë Gashi.

Ndërsa, për përzgjedhjen e prokurorit ka shtuar se është çështje e prokurorisë së shtetit.

“Ky prokuror nuk mundet më asnjë sekondë të punojë në rastin e Astrit Deharit sepse nuk është duke e dashur të vërtetën dhe nuk po e do as drejtësinë. Është hera e parë për rreth gjashtë viteve që ne kërkojmë përjashtimin e vetëm një prokurori”, ka shtuar Gashi.

Babai i Astrit Deharit, Avni Dehari, deklaroi se procesi i djalit të tij ka qenë i manipuluar gjatë gjithë kohës.

“Procesi ka qenë i manipuluar dhe i keqpërdorur shumë që nga fillimi. Për këtë arsye kemi kërkuar ekspert të jashtëm. Duke e pa që çdo gjë po fshihet dhe po keqpërdoret e morëm një hap të tillë. Më 10 prill avokati ynë, e ka marr raportin shtesë, që nuk e mohon konkludimin e raportit të parë. Në vend që të na e dërgojnë nëse si familje, ia ka dërguar avokatit dhe prokurori ka nxjerr në media duke manipuluar popullin si vetëvrasje”.

Prindërit e Astrit Deharit.

Edhe nëna e Astrit Deharit, theksoi se prokurori i rasti asnjëherë nuk e ka informuar familjen në lidhjen me ekspertizën.

“Me qejf kurrë s’ju kishim thirr dhe s’kishim dal në media. Jo se kemi zgjedh ne, po puna e tij na ka detyru ta bëjmë një kërkesë të tillë, se që katër vjet kemi prit e asnjë fjalë prej tij. As nuk na thërret kurrë. Ne nuk kemi marr raport shtesë të ekspertizës. D.m.th prokurori nuk na përfill si familje”, ka thënë Dehari.

Astrit Dehari, më pesë nëntor të vitit 2016 ishte gjetur i vdekur brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren.

Edhe pse gjatë këtyre pesë viteve janë kryer hetime, intervista dhe ekspertiza për të zbardhur rastin e vdekjes të ish-aktivistit, ajo mbetet ende një mister i pa zgjidhur.

Sipas avokatit të familjes Dehari, Tomë Gashi provat për personat e dyshuar për këtë çështje nuk mungojnë.

“Ka prova të mjaftueshme dhe nuk mund të mbulojnë me heshtje vrasjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili u vra në tentativë për t’i marrë deklaratat vetinkriminuese, ku shënjestër ishte Albin Kurti dhe LVV”, kishte deklaruar Gashi.

Më 5 nëntor të vitit 2021, janë bërë pesë vite që nga vdekja e Astrit Deharit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore