Lajme

Raporti i DASH-it për Kosovën: Kanë qenë disa raste të raportimit të korrupsionit në nivel qeveritar


Departamenti i Shtetit ka publikuar raportin për të Drejtat e Njeriut për vitin 2022 për Kosovën, derisa korrupsioni i rëndë qeveritar dhe mungesa e hetimit dhe përgjegjësisë për dhunën me bazë gjinore përmenden si disa nga problemet më serioze.

Në raport përmendet që ligji parasheh ndëshkime penale për zyrtarët e përfshirë në korrupsion, por që Qeveria nuk e ka zbatuar ligjin në tërësi.

“Kanë qenë disa raste të raportimit të korrupsionit në nivel qeveritar. Zyrtarët ndonjëherë janë përfshirë në praktika korruptive, pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe brishtësia për zbatim të ligjit ka rezultuar me këtë problem”, është thënë në raport.

Po ashtu janë përmendur disa raste të korrupsionit që janë apeluar vazhdimisht dhe se sistemi gjyqësor, me raste, e ka lejuar skadimin e afatit të parashkrimit të rasteve.

“Në dhjetor të vitit 2021, Instituti i Kosovës për Drejtësi i ka identifikuar 11 raste të korrupsionit që kanë rrezikuar parashkrim; në janar shtatë nga këto raste kanë skaduar për shkak të parashkrimit”.

Sipas raportit, deri në shtator, Agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar 29 opinione për raste specifike që potencialisht kanë qenë konflikte interesi dhe aktivitetet që në të ardhmen mund të përbëjnë konflikte interesi.

“Prokurorët kanë ngritur 150 aktakuza lidhur me korrupsionin dhe për 34 raste janë shqiptuar dënimet deri në tetor”.

Po ashtu, aty thuhet se organizatat joqeveritare në Kosovë, por edhe organizatat ndërkombëtare, kanë vënë në pah disa herë dështimet e sistemit gjyqësor për të ndëshkuar rastet e korrupsionit, prandaj shumë pak raste të zyrtarëve të lartë, të përfshirë në këto shkelje, kanë përfunduar me dënime.

Për më shumë, në pjesën për korrupsion, janë përmendur edhe dy hetime të mëdha korrupsioni në kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Hetimet kanë rezultuar me arrestimin e 74 zyrtarëve të Policisë së Kosovës, dy zyrtarë të Doganave të Kosovës dhe 34 zyrtarëve të Policisë së Shqipërisë”.

“Më pas, në shtator, tre zyrtarë policorë janë dënuar me 15 deri në 30 muaj burgim për abuzim të pozitave të tyre, për pranim të ryshfetit dhe për ofrimin e ndihmës për kontrabandim mallrash në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë”.

Në një pjesë të raportit përmendet që gjyqi i nisur më 2019 ndaj ish-ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo ende nuk ka epilog.

Ai dhe tetë zyrtarë të tjerë të ministrisë janë akuzuar për abuzim të pushtetit, pasi dyshohet se kanë manipuluar me grante.

Diskriminimi dhe abuzimet shoqërore

Në pjesën për mungesën e hetimeve për dhunën me bazë gjinore, raporti përmend se rastet e tilla, përfshirë dhunën seksuale dhe dhunime tjera, nuk raportohen shpesh nga viktimat, për shkak të stigmës shoqërore dhe mungesës së besimit në autoritete.

Në raport përmendet rasti i dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë nga pesë të dyshuar – një i rritur dhe katër të mitur.

Më pas, është përmendur edhe vrasja e shtatzënës 35-vjeçare në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në muajin nëntor.

I dyshuari, burri i saj, i ka ikur arrestimit dhe ka kryer vetëvrasje dy ditë më vonë.

“Policia e ka konfirmuar se viktima më parë ka raportuar për dhunë në familje dhe ka qenë në mbrojtje policore”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore