Shqipëria

Rama takohet me Erdogan në Asamblenë e 76-të të OKB-së


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e mërkurë, 22 shtator 2021.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbrëmjen e 22 shtatorit ka zhvilluar një takim me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në takimin e 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

Ky takim u njoftua nga faqja zyrtare e qeverisë turke në Facebook dhe profili zyrtar i Kryeministrit Rama. Detajet e takimit nuk dihen ende.

Rama foton me Erdogan e cilësoi si, “Foto e ditës”.

Kreu i qeverisë shqiptare gjatë qëndrimit në New York, ka zhvilluar takime edhe me liderë të tjerë. Rama pritet të mbajë fjalën e tij në Asamblenë e OKB-së.

Çfarë ka ndodhur deri tani në New York?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës që po zhvillon në New York, ka firmosur një marrëveshje në kuadër të bashkëpunimit midis dy akademive ushtarake.

Përkatësisht ajo e Forcave të Armatosura Shqiptare (FASH) dhe Akademia Ushtarake e “West Point” në New York, do të kenë një program binjakëzimi – duke njehsuar kështu kurrikulat e tyre.

Bashkë me kryeministrin Rama, ndodhet dhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Ajo është takuar me homologun e saj të Egjiptit, Sameh Hassan Shoukry.

Xhaçka ka bërë me dije se ndihet krenare për përkushtimin e Shqipërisë ndaj paqes dhe multilateralizmit dhe zgjidhjes paqësore të konflikteve.

Asambleja e OKB-së

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së është organi kryesor politikëbërës i Kombeve të Bashkuara.

I pranishëm në këto takime për herë të parë ishte edhe Joe Biden, presidenti amerikan.

Ai, nga aty, është zotuar për bashkëpunim me aleatët, duke e cilësuar këtë dekadë si “vendimtaren për botën”.

Biden njoftoi se do të dyfishojë zotimin e tij për financimin mbi klimën deri në vitin 2024.

Asambleja e 76-të e Përgjithshme në zhvillohet në sfondin e një krize klimatike dhe një pandemie.

Këto të dyja kanë qenë edhe frontet e Biden-it për bashkëpunim.

Nga ana tjetër sekretari i OKB-së, António Guterres, në fjalimin e tij hyrës, bëri me dije gjashtë prioritetet globale.

Paqja, klima, varfëria, ndarja gjinore digjitale dhe ndarja mes brezave ishin prioritetet sipas tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore