Lajme

Udhëheqësit botërorë kthehen në OKB me fokus pandeminë dhe klimën


Udhëheqësit botërorë po kthehen në Kombet e Bashkuara (OKB) në New York këtë javë me një fokus në rritjen e përpjekjeve për të luftuar si ndryshimin e klimës ashtu edhe pandeminë COVID-19.

Ndërsa, coronavirusi është ende shumë aktiv, rreth një e treta e drejtuesve të 193 shteteve të OKB-së po planifikojnë diskutimin online, pjesa e mbetur e presidentëve, kryeministrave dhe ministrave të jashtëm do të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara.

SHBA-të u përpoqën të pengonin udhëheqësit që të shkonin në New York në një përpjekje për të ndaluar Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të bëhej një “ngjarje super-përhapëse”, megjithëse presidenti amerikan, Joe Biden do t’i drejtohet asamblesë personalisht, vizita e tij e parë në OKB që nga marrja e detyrës.

I ashtuquajturi sistem nderi i OKB-së do të thotë që kushdo që hyn në sallën e asamblesë deklaron në mënyrë efektive se është i vaksinuar, por ata nuk duhet të tregojnë prova.

Ndërkohë, presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, është skeptik për vaksinën, i cili javën e kaluar deklaroi “se nuk ka nevojë për vaksinim sepse është tashmë imun pasi është infektuar me COVID-19”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se diskutimet rreth asaj se sa diplomatë udhëtues mund të ishin imunizuar ilustruan “sa dramatike është pabarazia sot në lidhje me vaksinimin”. Ai po bën presion për një plan global për të vaksinuar 70% të botës deri në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.

Nga 5.7 miliardë doza të vaksinave të coronavirusit të administruara në të gjithë botën, vetëm 2% kanë qenë në Afrikë.

Biden do të presë një takim virtual nga Washingtoni me udhëheqësit dhe drejtuesit kryesorë të mërkurën që synon të rrisë shpërndarjen e vaksinave në nivel global.

Duke demonstruar shqetësimet e SHBA-ve, për COVID-19 në lidhje me mbledhjen e OKB-së, Biden do të jetë në New York vetëm për rreth 24 orë, duke u takuar me Guterres të hënën dhe duke bërë fjalimin e tij të parë në OKB të martën, direkt pas Bolsonaro-s.

E dërguara e tij në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha se Biden “do të flasë për dhënien fund të pandemisë COVID-19; luftimin e ndryshimeve klimatike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe rendit të bazuar në rregulla ndërkombëtare”.

Për shkak të pandemisë, delegacionet e OKB-së janë të kufizuara në numër shumë më të vogël dhe shumica e ngjarjeve në periferi do të jenë virtuale. Ndër temat e tjera që ministrat pritet të diskutojnë gjatë javës janë Afganistani dhe Irani.

Por, para se të fillojnë fjalimet vjetore, Guterres dhe kryeministri britanik, Boris Johnson, do ta fillojnë javën me një samit të hënën për të shpëtuar nga dështimi një samit të Kombeve të Bashkuara – që fillon në Glasgow, Skoci, më 31 tetor.

Ndërsa shkencëtarët paralajmërojnë se ngrohja globale është rrezikshmërisht afër daljes jashtë kontrollit, konferenca e Kombeve të Bashkuara COP26 synon të tërheqë veprime shumë më ambicioze të klimës dhe paratë që do të shkojnë me të nga pjesëmarrësit në të gjithë globin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore