Shqipëria

Rama pas takimit me nxënësit dhe studentët: Investim masiv për laboratorët në shkolla


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një takim me nxënës dhe studentë në qytetin e Elbasanit për Strategjinë e Re Kombëtare për Rininë 2022-2029, ka deklaruar se do të bëhet një investim masiv për laboratorët në shkolla.

“Investim masiv për laboratorët. Është pikë e projekt-buxhetit për vitin 2022”, bëri me dije Rama.

Së bashku me Kryeministrin, shqetësimet e nxënësve dhe studentëve i dëgjuan dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe ajo e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi.

Më tej Rama theksoi faktin se qeveria ka përgatitur një fond të veçantë për të ndryshuar mësimdhënien e informatikës/teknologjisë.

Gjithashtu Kryeministri i vendit vijoi me prezantimin e planit duke deklaruar se se do të ketë një program kombëtar për çështjen e arteve dhe sporteve.

“Do të fillojmë hap pas hap gjithë organizimin e sistemit, që shkollat të kenë kapacitet për t’iu përgjigjur dëshirave dhe kërkesave të nxënësve për të zhvilluar një pjesë të caktuar të artit dhe zejeve”, tha Rama në fjalën e tij.

Në përfundim Kryeministri tha se mungesa e një hapësire të mbushur me aktivitete jashtëshkollore është problematike dhe është adresuar për të gjetur zgjidhje.

“Këtë mangësi do e mbushim hap pas hapi”, e mbylli Rama.

Strategjinë e Re Kombëtare për Rininë do të prodhojë në bashkëpunim me më të rinjtë një dokument pune dhe angazhimesh konkrete të institucioneve kombëtare e vendore, në funksion të fuqizimit të rinisë shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore