Kosova

Qeveria miraton pagën minimale, BSPK: Shuma e propozuar nuk kaloi në Këshillin Ekonomiko-Social


Ilustrim

Miratimi i pagës minimale me vlerë prej 264 euro bruto nga Qeverisë së Kosovës, sipas Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka ndodhur pa miratimin paraprak në Këshillin Ekonomiko-Social, e cila përkujdeset edhe për propozimin e pagës minimale pasi që e ka në mandatin e vet.

“Në Takimin e fundit të KES-it, më 10 mars, në votim u hodhën dy propozime për vlerën e Pagës minimale – 264€ dhe 300€, dhe asnjëri nga këto propozime nuk mori vota e duhura – 2/3 e votave. Dhe sot kemi një Pagë minimale e cila është hedh në votim në mbledhjen e fundit të KES-it por nuk ka marrë votat e duhura”, thuhet në reagimin e BSPK-së në Facebook.

Sipas BSPK-së Këshilli Ekonomiko-Social do të vazhdojë me punën rreth përcaktimit të pagës minimale edhe për vitin 2023, që do të mundësojë propozimin e pagës minimale më të lartë se në vitin 2022.

“BSPK-ja rri fuqishëm pas kërkesave sindikale dhe ndjek të gjitha rrugët ligjore për intensifikimin e veprimeve sindikale në të mirë të ngritjes së mirëqenies ekonomike, sociale e shëndetësore të të punësuarve, dhe do të vazhdojë me artikulimin e kërkesave të federatave sindikale në të gjitha format e lejuara me ligj – po nuk do të tërhiqet”, është thënë në reagim të BSPK-së në Facebook.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e të mërkurës ka miratuar projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në vlerë prej 250 euro neto apo 264 euro bruto.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore