Lajme

Qeveria dështon në përmbushjen e planit legjislativ


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka monitoruar aktivitetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës nga 22 marsi e deri më 31 gusht 2021.

Gjetjet e IKD-së tregojnë se Qeveria nuk ka arritur ta përmbushë as për së afërmi planin legjislativ përkundër se numri më i madh i ligjeve të miratuara janë të bartura nga qeveritë paraprake.

Qeveria kishte planifikuar të miratoj 44 projektligje që nga themelimi e deri në fund të muajit gusht 2021 ndërsa IKD thotë se janë miratuar gjithsejtë 32 prej tyre.

Kurse nga 32 ligje të miratuara, vetëm 3 ligje janë të reja, 3 të tjera janë plotësim/ndryshime, ndërsa pjesa dërrmuese e ligjeve gjithsejtë 26 prej tyre janë ligje të bartura nga plani legjislativ i qeverive të kaluara. Shprehur në përqindje, sipas IKD-së i bie 81.2% e ligjeve të miratuara janë të bartura nga qeveritë paraprake.

Ministria e Drejtësisë (MD) është sponsorizuesi më i madh i projektligjeve me gjithsejtë 12. Por, të gjitha projektligjet e sponsorizuara nga MD-ja, janë të bartura nga qeveritë paraprake.

Infografi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) mbi monitorimin e punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës

Analisti Shkodran Ramadani për Albanian Post ka thënë se Qeveria ka dhënë shumë fjalë por pak ka bërë realizime.

“Këto shifra tregojnë mos efikasitetin dhe jo produktivitetin e kësaj qeverie përkundër premtimeve të mëdha dhe fjalëve të shumta që do të lënë nën hije të gjitha qeveritë e kaluara, duket që nuk janë duke arrit që të bëjnë një gjë të tillë”.

Qeveria synon të marrë kredi nga puna e qeverive paraprake.

“Faktikisht janë duke u shërbyer si parazit me nismat e qeverive paraprake dhe tash dëshirojnë që të marrin kredit për secilin prej tyre. Kjo tregon që deri tash kanë qenë shumë shterpë në kryerjen e punëve kur dihet që tashmë është më shumë se gjysmë viti prej kur z.Kurti është kryeministër i Republikës së Kosovës, por kjo legjislaturë dhe kjo qeveri kanë qenë shumë të ngathëta”.

Ramadani thotë se qeveria përveç mos përformancës së dobët, qeveria ka “shpejtësinë e breshkës”, ka deklaruar Ramadani.

Analisti Shkodran Ramadani

Ndërsa, politologu Ervin Ibrahimi konsideron se politikat zhvillimore të një qeverie përcaktohen me anë të ligjeve.

“Kjo është statistike alarmante. Ligjet janë mjet kryesor i qeverisjes për të përcaktuar politikat, kahen dhe deri në një shkallë të lartë edhe nivelin e zhvillimit të një vendi”.

Qasja e deputetëve në pesë ose gjashtë vitet e fundit e reflektuar në legjislacion, ka dështuar të sjellë ndonjë zhvillim domethënës për vendin ka thënë Ibrahimi për Albanian Post.

Ervin Ibrahimi, Politolog

Mos stabiliteti parlamentar ka bërë që projektligjet e qeverive të kaluara të grumbullohen.

“Problem tjetër ka qenë se qeverisjet e kaluara, në të shumtën e kohës kanë pasur mungesë stabiliteti të numrave, që ia ka pamundësuar kalimin e lehtë të ligjeve. Ky dështim ka një kosto të lartë si për ne si qytetarë, si në aspektin financiar e aq më shumë në aspektin zhvillimor. Hartimi dhe shqyrtimi i ligjeve ka një kosto të lartë financiare. Për shkak të krizave dhe zgjedhjeve të shpeshta, ato shpesh janë kthyer në piken zero”, ka përfunduar Ibrahimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore