Lajme

PSD aksion te Ministria e Bujqësisë – bujqit në Kosovë s’kanë llogari ta mbjellin tokën


Aksioni i PSD-së në Ministrinë e Bujqësisë

Aktivistët e Partisë Socialdemokrate, të martën e 1 marsit kanë organizuar një aksion simbolik para Ministrisë së Bujqësisë, ku me ç’rast kanë vendosur një plug para hyrjes së Ministrisë, për të kundërshtuar rritjen e çmimit të produkteve esencial që përdorën për mbjelljen e tokës.

Frashër Krasniqi anëtarë i PSD-së, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të veprojë sa më shpejtë që është e mundur për të ndihmuar bujqit me subvencione, pasi sipas tij bujqit në Kosovë nuk kanë llogari ta mbjellin tokën më.

“Rritja e çmimit të grurit është krizë e re, pas asaj të energjisë elektrike. Në Kosovë kostoja e mbjelljes së një hektarë tokë me grurë është rritur për 97.8 për qind, fara për një hektarë grurë prej 132 euro është rritur në 156 euro, plehu prej 112 euro në 280 euro, nafta prej 60 euro në 75 euro”, ka thënë Krasniqi.

Frashër Krasniqi

Qeveria e Kosovës sipas Krasniqit duhet urgjentisht të ndërmarrë së paku tre masa në mënyrë të parandalimit të krizës së radhës.

“Heqja e akcizës dhe TVSH-së në naftë për bujqit është urgjente, subvencionimi i 25 për qind të çmimit të plehut si dhe rritja e subvencionimit të përgjithshëm në bujqësi së paku 25 për qind”.

“Në kohë krizash qeveria duhet të subvencionojë prodhimin vendor, për të mos u goditur shumë nga lëvizjet e çmimeve në nivel ndërkombëtarë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore