Shqipëria

Procesi i Berlinit: Më në fund janë plotësuar kushtet e aneksit, me 1 qershor fillon implementimi i Marrëveshjeve për Letërnjoftime, Diploma dhe Vende Pune


Procesi i Berlinit, ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve për letërnjoftime, diploma dhe vende pune

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në një prononcim ekskluziv për Albanian Post, ka bërë të ditur se Kosova, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, si të vetmet shtete në Ballkanin Perëndimor të cilët aktualisht kanë ratifikuar tri marrëveshjet e Procesit të Berlinit – Lëvizjen me Letërnjoftime, Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë dhe Njohjen e Kualifikimeve Profesionale të Mjekëve, Stomatologëve dhe Arkitektëve – do të fitojnë të drejtën që nga 1 qershori të përfitojnë nga benefitet e këtyre tri marrëveshjeve.

Këto ujdi, të quajtura ndryshe edhe si Marrëveshje të Mobilitetit, që u nënshkruan me 3 nëntor të vitit të kaluar në Berlin e që për qëllim kanë lehtësimin e udhëtimit, studimit dhe punën për qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor, nuk janë ratifikuar nga Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.

Ndonëse Podgorica zyrtare ka arritur t’i aprovojë marrëveshjet, projektligjet në fjalë janë ende në procedurë parlamentare, ndërsa në Sarajevë momentalisht janë në fazën e konsultimit ndërministror, meqë ka një mungesë të konsensusit të brendshëm, përkatësisht refuzimit të Republikës Srpska për shkak të Kosovës.

Njoftimi zyrtar ku specifikohet se cilat shtete kanë ratifikuar Marrëveshjet e Procesit të Berlinit

Marrëveshjet janë nënshkruar bashkërisht nga të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, por mos ratifikimi i tyre nga Mali i Zi e Bosnja & Hercegovina nuk i pengon dot shtetet tjera që i kanë ratifikuar marrëveshjet të vazhdojnë me fazën implementuese.

Jo funksionaliteti i parlamentit malazez për shkak të situatës politike atje dhe destruktiviteti i presidentit të entitetit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, nuk mund të pengojnë dot, sepse protokollet e marrëveshjeve në fjalë saktësojnë se nëse minimumi tri shtete depozitojnë konfirmimin e ratifikimit, pranimit ose miratimit, marrëveshjet e mobilitetit bëhen të vlefshme për shtetet që kanë bërë depozitimin.

Një gjë e tillë specifikohet edhe në nenin 21 të protokollit, pjesë integrale e secilës marrëveshje, derivat i Procesi të Berlinit, ku shkruhet se “marrëveshjet do të hyjnë në fuqi në ditën e tridhjetë pas depozitimit të njoftimit të tretë (tri shtete) formal të ratifikimit, pranimit ose miratimit për Palët që kanë depozituar njoftimin e tyre formal të ratifikimit, pranimit ose miratimit”.

Pra sipas nenit 21, Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut janë të mjaftueshme për të plotësuar kushtet formale që Marrëveshjet e Mobilitetit të nisin të zbatohen në këto shtete.

Sipas protokolleve të dakorduara në Berlin, Maqedonia e Veriut është e autorizuar që të veprojë si depozituese e njoftimeve për ratifikimin e suksesshëm dhe me përmbushjen e kritereve formale.

Ndërsa në anën tjetër kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është caktuar de facto si kujdestari i mbarëvajtjes së zbatimit të Marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, kjo pasi që samiti i radhës i këtij Procesi do të mbahet në Tiranë në nëntor të këtij viti.

Sipas burimeve të AP-së, një nga detyrat e Ramës është që të kujdeset për pjesën formale, pra që të komunikojë zhvillimet e rëndësishme, por edhe të punojë me shtetet që kanë ngecur prapa (Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina) që të mos vonohen me procedurat e tyre të brendshme.

Po këto burime bënë të ditur se pas konfirmimit zyrtar nga Maqedonia e Veriut, si depozituese e marrëveshjeve, i pari i Qeverisë Shqiptare do të thërras një konferencë për shtyp ku do të njoftojë për këtë arritje historike të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Mbi të gjitha këto tri marrëveshje, siç shpjegojnë burimet e Albanian Post, do të jenë ndihmesë e madhe edhe për procesin e zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar në mes të Kosovës dhe Serbisë fillimisht më 27 shkurt e më pastaj më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kjo pasi që një pjesë e vogël e obligimeve si derivat i Marrëveshjes për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë janë identike me obligimet që rrjedhin nga marrëveshjet e mobilitetit të Procesit të Berlinit.

Procesi i Berlinit – ç’u bë me marrëveshjet për letërnjoftime, diploma dhe vende pune?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore