Shqipëria

“Presidenti i ri”/ Përfundon mbledhja e Grupit Parlamentar i PD-së, Alibeaj: Mazhoranca nuk ka legjitimitet për të vendosur për Presidentin


Ka përfunduar mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, me ftesë të kreut të saj Enkelejd Alibeaj, e cila kishte nisur që prej orës 14:00, për zgjedhjen e kandidatit për President të Republikës së Shqipërisë.

Në një prononcim për mediat, Alibeaj bëri të dtur se, “mazhoranca nuk ka legjitimitet për të vendosur për kreun e shtetit”.

Kjo me arsyetimin se ka tre deputetë të shpallur non-grata nga SHBA-të.

Alibeaj përpara medias deklaroi se drafti i propozuar nga ai ka të bëjë me heqjen e çfarëdolloj hije të së shkuarës.

“Opozita ka legjitimitetin e saj për të marrë pjesë në proces, për të propozuar – një figurë që s’ka lidhje me sistemin e diktaturës”, u shpreh ai.

Mirëpo kjo mbledhje nuk kishte kuorum për vendimmarrje, pasi prezent ishin vetëm 21 deputetë të opozitës.

I pyetur nga gazetarët se në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve do të shkohet me vendim pa kuroum, Alibeaj u shpreh se “duhet të jetë një proces i mirinformuar për të gjithë”.

“Po qe për numrat ne e dimë. Ne po flasim për një President që nuk duhet të jetë i pallatit parlamentar, por një president i shqiptarëve. Duhet të jetë një figurë mbi palët”, vijoi Alibeaj.

Sipas tij, negociata do të ketë vetëm me Grupet Parlamentare të opozitës.

1652107438_Screenshot1.jpg

Duke vënë theksin te miratimi i draftit nga 22 deputetë, Alibeaj u bërë sërish ftesë pjesës tjetër të Grupit Parlamentar.

“Draft-propozimi nuk mund të konsiderohet final. Ai mund të pasurohet, shtohet, përmirësohet duke ardhur të gjithë kolegët që nuk ishin si dhe me aleatët”.

Në përfundim sipas Alibeajt aprovimi i draftit i hap rrugë për ta paraqitur si propozim te mazhoranca.

Ai theksoi se në mbledhjen e ditës së nesërme nuk ka për të pasur negociata me mazhorancën.

Alibeaj nuk i shpëtoi pyetjes se ai është shkarkuar nga Komisioni i Rithemelimit të PD-së.

Kryetari i mandatuar i bluve u shpreh i qartë se nuk e njeh një vendim të tillë.

“Më kanë shkarkuar katër a pesë herë, njëherë në dhjetor njëherë në janar, ca herë në shkurt tani së fundmi. Jam kreu i grupit parlamentar i zgjedhur në mbledhjen e këshillit, së dyti unë nuk jam në test nga askush, bëj detyrën time se kreu i grupi parlamentar dhe si ushtrues i kryetarit të partisë”, e përmbylli deklaratën e tij Alibeaj.

Deputeti i pranishëm në mbledhje, Gazment Bardhi, ka deklaruar se duhet të diskutohet për kriteret për t’i dhënë vendit një president dinjitoz.

Sakaq ai iu përgjigj edhe akuzave të Komisionit të Rithemelimit sa i përket draft-propozimit të Alibeajt – të cilën e quajtën “akt tradhtie ndaj demokratëve” – se “kur ne kërkojmë që opozita të propozojë presidentin jemi të shitur. Kur ‘Rithemelimit” kërkon që opozita të propozojë presidentin janë opozitë. Sigurisht që deputetët do marrin pjesë në proces, jo disa që s’janë deputetë dhe nga xhelozia thonë që presidentin e propozojnë”, u shpreh Bardhi.

Ndërsa deputetit Ferdinand Xhaferaj ishte ndër të parët që doli nga mbledhja.

Ai konfirmoi se gjatë diskutimeve ka patur një dakordësi në lidhje me faktin se opozita nuk duhet të bëhet fasadë për të legjitimuar procesin nga mazhoranca.

Ndërkohë Xhaferaj ka kërkuar nga kryeministri Edi Rama të pranojë zgjedhjen e presidentit brenda tre raundeve të para, të cilat kërkojnë shumicë të cilësuar.

Nënkryetari i Grupit Parlamentar të bluve, Ervin Salianji, nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook, e ka cilësuar si “dështim” mbledhjen e kësaj dite.

“I keqardhur që mbledhja e grupit parlamentar të PD dështon për herë të dytë të mblidhet! Personalisht bëra çdo përpjekje për të zhvilluar mbledhje të përbashkët por u refuzua njëanshmërisht duke prodhuar dhe të pavërteta publike!”, thuhej në postimin e Salianjit.

Sipas Salianjit kandidati duhet të jetë politik dhe me integritet të lartë që ti qëndrojë “presionit politik të autokracisë Rama”.

Ai e përmbyll se, “63 deputetët opozitarë të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit përfaqësojnë opozitën, pakicat me 1/3 e këtij numri nuk kanë legjitimitet dhe shpresoj të jenë në naivitet politik dhe jo në shërbim të Ramës”.

Mirëpo, ftesës së Alibeajt i janë bashkuar konkretisht Kreshnik Collaku; Zheni Gjergji; Bledjon Nallbati; Dashnor Sula;  Arbi Agalliu;  Gazment Barshi; Dhurata Cupi; Saimir Korreshi; Eralda Bano; Merita Bakiu; Ferdinand Xheferri; Kastriot Piroli; Ilda Dhori; Lefter Geshtenja; Lindita Metaliaj; Flamur Hoxha; Seladin Jakupllari; Emilja Koliqi; Orjola Pampuril dhe Andia Ulliri.

Në mbledhje kanë munguar Lulzim Basha; Ervin Salianji; Jorida Tabaku; Agron Gjekmarkaj; Grida Duma; Alfred Rrushaj; Flutura Acka; Xhelal Mziu; Tomorr Alizoti; Ramadan Lika; Fation Veizaj; Helidon Bushati; Greta Bardeli; Zef Hila; Ina Zhupa dhe Kasëm Mahmutaj

Kujtojmë se PD-ja është “e ndarë” dhe as deputetet e Rithemelimit nuk i janë përgjigjur Alibeajt për të marrë pjesë. Konkretisht kanë munguar Flamur Noka; Edi Paloka; Tritan Shehu; Albana Vokshi; Luciano Boçi; Edmond Spaho; Luan Baçi; Agron Shehaj; Sorina Koti; Oerd Bylykbashi; Isuf Cela; Bujar Leskaj; Belind Kelliçi; Sali Berisha dhe Elda Hoti.

Kujtojmë se të martën e 10 majit, në orën 12:30, do të mbahet mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, ku dhe do të nisë zyrtarisht procedura për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Propozimet e Alibeajt

Në draft-propozimin e paraqitur nga Alibeaj citohej se gjatë pesë viteve të fundit, kandidati për president nuk duhet të jetë angazhuar në politikë aktive partiake.

Sakaq, përgjatë përvojës profesionale të tij, duhet të ketë dëshmuar publikisht aftësi të spikatura të integritetit.

Sipas propozimit nga Alibeaj, kandidati duhet të bëjë transparencë të plotë dhe të dokumentuar të të gjitha të ardhurave dhe ligjshmërisë së pasurisë.

“Nuk duhet të ketë qenë dhe të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi sekret, si dhe në periudhën 29.11.1944 – 02.07.1991 funksionar shtetëror”, theksohej në draft.

Një nga pikat e propozuara nga Alibeaj ishte që grupet parlamentare opozitare të prezantonin katër kandidatë, ndërsa mazhoranca dy.

Ndër të tjera, kandidati për President i Republikës duhet të plotësojë kushtet e pastërtisë së figurës në drejtim të dekriminalizimit dhe duhet të ketë një përvojë në punën e tij për të paktën 15 vjet.

“Përçarja” e demokratëve

Partia Demokratike që po drejtohet nga Komisioni i Rithemelimit, e ka shkarkuar Alibeajn si kryetar të Grupit të Parlamentar, të shtunën e 30 prillit në Kuvendin Kombëtar.

Pavarësisht kësaj të fundit Kuvendi i Shqipërisë ka një rregullore të veçantë, e cila njeh Alibejan si kreun e Grupit Parlamentar të PD-së.

Që pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, Alibeaj mori edhe detyrën e kreut të mandatuar të bluve. Por as këtë grupi i “Rithemelimit” nuk e njeh.

Një vendim i Gjykatës së Tiranës, e cila njohu ndryshimet statutore të Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit – i thirrur nga ish-lideri i PD-së, Sali Berisha – do të sillte një “përçarje” edhe më të thellë të demokratëve.

Nga ana tjetër ndërkombëtarët dhe mazhoranca parlamentare kanë deklaruar të prerë se ata njohin vetëm Alibeajn si kryetar të komanduar dhe në krye të Grupit Parlamentar të PD-së.

Ndërsa kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka deklaruar se, “Sali Berisha nuk ekziston as si Grup Parlamentar. Është një deputet i pavarur në Kuvendin e Shqipërisë. Me Sali Berishën as nuk ka, as nuk do të ketë ndonjëherë negociata për asgjë. Për ne ai nuk ekziston dhe me diçka që nuk ekziston, nuk ke pse negocion”.

PD-ja është e ndarë në dy grupime politike: Grupi i Rithemelimit dhe grupi i PD-së zyrtare – pasi pritet një vendim i Apelit rreth njohjes së ndryshimeve statutore të 11 dhjetorit – që drejtohet nga kryetari i mandatuar Alibeaj.

Presidenca e shtatë në Shqipëri do të përmbyllet më 24 korrik të vitit 2022. Në krye të shtetit që prej 2017-ës është Ilir Meta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore