Shqipëria

Zbardhen detaje tronditëse në Shkodër, nëna me 3 fëmijët mund të jenë vetëvrarë nga dhuna sistematike e bashkëshortit


Hetime të thelluara të Policisë kanë nxjerrë në pah detaje të reja tronditëse nga një ngjarje tragjike në Shkodër, ku besohet se nëna me tre fëmijët e saj të mitur mund t’i kenë dhënë fund jetës duke u mbytur në lumin Drin.

Siç ka raportuar më parë Albanian Post, nëna dhe tre fëmijët e saj janë raportuar si të zhdukur tre ditë më parë, teksa më 4 prill, një peshkatar ka gjetur trupin e një fëmije të mitur, me shenja dhune në fytyrë.

Kallëzimin për zhdukjen e kishte bërë babai i familjes, 31-vjeçari Ergys Arrazi. Mirëpo, dyshime të forta se pikërisht dhuna e tij ka shtyrë katër anëtarët e familjes në vetëvrasje, e kanë çuar në pranga atë.

Kështu ka njoftuar vetë Policia e Shtetit.

Tragjike në Shkodër – Zhduket nëna me 3 fëmijët, një i mitur gjendet i pajetë në lumin Drin

Sipas njoftimit, menjëherë pas kallëzimit të shtetasit E. A., 31 vjeç, të bërë më datë 03.05.2024, se më datë 02.05.2024, ishin larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja A. A., 39 vjeçe dhe 3 fëmijët e tyre të mitur (9, 8 dhe 3 vjeç), u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa.

Bazuar në hetimet e kryera dhe inteligjenca policore, dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje.

Më datë 04.05.2024, u bë ndalimi i shtetasit E. A., 31 vjeç (i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike), për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.

Grupi hetimor ka vijuar hetimet dhe shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet për gjetjen e 39-vjeçares dhe 3 fëmijëve.

Gjatë kontrolleve, rreth orës 22:00 të datës 04.05.2024, në ujërat e lumit Buna, në fshatin Darragjat, u gjet trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare të shtetasve E. A. dhe A. A., e cila dyshohet se është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj.

Policia e Shkodrës, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon ndërkaq intensivisht punën për gjetjen e tre shtetasve të tjerë të larguar nga banesa, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore