Kosova

Rezoluta për Srebrenicën – opozita në Serbi kërkon që “humbësi i të gjitha betejave” të japë dorëheqje


Aleksandër Vuçiç

Kryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi (SSP), Dragan Gjilas, pas miratimit të rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB), kërkoi nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të japë dorëheqje, duke argumentuar se pas disfatës së re, kësaj radhe në OKB, ai nuk mund të qëndrojë në pozitën e kreut të shtetit.

“Përfundimi është ky: Serbisë nuk i duhet një president që lufton, por ai që fiton dhe Vuçiçi vazhdon të humbasë […] Serbia është e lodhur nga humbjet e vazhdueshme. Prandaj është koha që ‘udhëheqësi i madh’ që humbi të gjitha betejat të hyjë përfundimisht në histori”, shkroi kryetari i SSP-së në një komunikatë, transmetoi media opozitare serbe “Danas” të enjten.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi të enjten e 23 majit rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë – rajon në lindje të Bosnje e Hercegovinës, ku forcat serbe vranë mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë myslimanë në vitin 1995.

Rezoluta për Srebrenicën kaloi me 84 vota në favor, kundër 19 dhe 68 abstenime. Rezoluta për Srebrenicën që u miratua mes kundërshtimit të ashpër të presidentitet serb, dënon mohimin e gjenocidit të kryer nga serbët, përkundër se në rezolutë nuk përmendet as Serbia, as Republika Sërpska.

E përveç Serbisë, vendet e rajonit – Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Kroacia – votuan në favor të rezolutës së hartuar nga Gjermania e Ruanda. Prej vendeve të Bashkimit Evropian (BE), kundër votoi vetëm Hungaria, ndërsa abstenuan Greqia, Sllovakia dhe Qipro – mosnjohëse të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore