Kosova

Mesazhi i Kurtit në 75-vjetorin e Këshillit të Evropës: Kosova – vend që plotëson kriteret e anëtarësimit


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 75-vjetorin e themelimit të Këshillit të Evropës (5 maj 1949, Londër), deklaroi se përveç që 2024-shi shënon vitin jubilar të kësaj organizate të rëndësishme evropiane, ky vit shënon edhe njohjen e Kosovës si një shtet që plotëson kriteret për t’u bashkuar në panteonin e kombeve demokratike të kontinentit evropian.

“Sot, 75 vjet më parë, u themelua organizata kryesore e kontinentit për të drejtat e njeriut. Ky vit shënon njohjen e Kosovës si një vend që plotëson kriteret për t’u bashkuar, duke nënkuptuar forcën e demokracisë sonë, sundimin e ligjit dhe përgjegjësinë tonë të përbashkët ndaj të drejtave të njeriut”, shkroi kreu i ekzekutivit në platformën “X” të dielen.

Ndërkohë, tri shtetet kryesore evropiane – Gjermania, Franca, dhe Italia – duan “lëvizje reale” dhe “hapa konkretë” drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, posaçërisht dërgimin e një draft-statuti për këtë mekanizëm për serbët e Kosovës në Gjykatën Kushtetuese përpara se ata të bien dakord për ta pranuar Kosovën në Këshillin e Evropës.

Ndryshe, vendimmarrja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës i takon ministrave të jashtëm të shteteve anëtare që pritet të mblidhen në mes të muajit maj. E për të marrë dy të tretat e votave të nevojshme, vendi i vogël ballkanik duhet të çojë “pesha të rënda” nëse dëshiron që përfundisht të bëhet anëtarja më e re e organizatës më të vjetër të kontinentit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore