Shqipëria

Drafti i propozuar nga Alibeaj, “akt tradhtie” ndaj PD-së, thotë Floriana Garo


Zëdhënësja e Komisionit të ashtuquajtur të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Floriana Garo, gjatë një prononcimi për media e ka cilësuar “akt tradhtie ndaj demokratëve” draftin e propozuar nga Enkelejd Alibeaj për zgjedhjen e presidentit të ri. Garo e ka quajtur si marrëveshja Rama-Basha-Alibeaj.

“Për propozimin e kandidatit nga Basha-Alibeaj. Ky është propozuar nga pseudo-pozita. Në këtë kontekst marrëveshja Rama-Basha-Alibeaj është një akt tradhtie ndaj Partisë Demokrate. Ky dokument është një akt keqpërdorimi dhe keqshfrytëzimi, me farsën e zgjedhjes së presidentit. Kriteret janë shpallur nga Rama. Por, nëpërmjet binomit Alibeaj-Rama, po nxjerrin një emër”.

Garo u ka bërë thirrje deputetëve të PD-së që të distancohen nga kjo “lojë e neveritshme me demokratët dhe popullin opozitar”.

“Kjo është një lojë e neveritshme me demokratët dhe popullin opozitar. PD u bën thirrje deputetëve të saj të distancohen nga loja e ulët Basha-Rama-Alibeaj në kurriz të popullit shqiptar dhe pluralizmit në Shqipëri”.

Qendrimi i Salianjit

Qëndrim kundër draftit për presidentin e ri mbajti edhe deputeti i PD-së, Ervin Salianji, i cili e konsideroi si favorizim të kryeministrit Edi Rama.

“Dua të besoj që është naivitet politik të thuash që presidenti i ri nuk duhet të jetë në politikë në 5 vitet e fundit, do të thotë t’i shkosh mbrapa Ramës. Grupi Parlamentar i PD-së mendon që Presidenti duhet të jetë politik”.

“Shikoni në Itali, Mattarella vjen nga një eksperiencë e gjatë politike. Të gjithë mund të bien dakord për atë pensionistin me biçikletë. E gjitha kjo bën të zhvendoset vëmendja”, tha Salianji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore