Shqipëria

Rezoluta anti-korrupsion, Bardhi: Do të abstenojmë, mazhoranca nuk është e gatshme ta luftojë korrupsionin


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë – ku po diskutohet për rezolutën kundër korrupsionit – u shpreh se opozita nuk do të marrë pjesë në votim.

“Ne do të abstenojmë, pasi është e panevojshme”, tha Bardhi, duke theksuar se korrupsioni është rrënjosur si asnjë herë më parë nën administratën e kryeministrit Edi Rama.

“Por një nismë e tillë do të ishte e besueshme, diçka pozitive për vendin, do të ishte serioze, vetëm nëse ata që e propozojnë, janë vetë seriozë dhe të gatshëm për ta luftuar korrupsionin”.

Për Bardhin, të luftosh korrupsionin nuk ka nevojë as për fjalë dhe as për rezoluta.

“Ka nevojë për akte, për veprime. Edi Rama kishte 11 vite kohë të na tregonte të paktën një akt, një veprim, që ka vullnet për të luftuar korrupsionin, ka vullnet për të mirëqeverisur, ka vullnet për të respektuar shtetin ligjor”.

“Gjatë 11 viteve të fundit, qeveria e Edi Ramës ka demonstruar vazhdimisht se nuk është ajo fanar i përparimit dhe transparencës që pretendon të jetë, por përkundrazi një regjim që frymëzon dhe përjetëson korrupsionin në të gjitha nivelet e shoqërisë”.

Prandaj – shton Bardhi – ndërsa Edi Rama propozon rezolutë për të luftuar korrupsionin, “ne duhet të shqyrtojmë me kujdes rekordin e tij dhe të pyesim nëse qëllimet e tij përputhen me veprimet dhe politikat që kanë karakterizuar mandatin e tij”.

“Që nga marrja e detyrës në vitin 2013, Rama ka drejtuar një qeveri që është akuzuar vazhdimisht për korrupsion, nepotizëm dhe shpërdorim të fondeve publike. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i Transparency International e rendit Shqipërinë vazhdimisht ndër vendet më të korruptuara në Evropë. Pavarësisht kësaj, qeveria e Ramës ka bërë pak për të adresuar këto shqetësime, shpesh duke ndërmarrë hapa që përkeqësojnë, në vend që të zbusin problemin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore