Shqipëria

PD-ja s’gjen kuorumin e duhur për mbledhjen e kryesisë, Salianji kundër draftit të Alibeajt


Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, në një prononcim për mediat, ka deklaruar se edhe këtë të hënë 9 maj nuk do të ketë mbledhje kryesie.

Gjithashtu, ai ka kundërshtuar edhe draftin e kryetarit të mandatuar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, për presidentin e ri.

Arsyeja, u shpreh ai, është se nuk është formuar kuorumi i duhur për mbajtjen e mbledhjeve.

“Edhe sot nuk pati mbledhje të kryesisë së grupit parlamentar. Ka pasur përpjekje nga mua që të përfshiheshin në mbledhje edhe deputetë të PD-së, të Rithemelimit. Ka pasur dakordësi nga zoti Boçi në emër të tyre. Rrjedhimisht s’ka mbledhje, sepse s’ka kuorum”.

Ndër të tjera, Salianji u shpreh kundër draftit e Enkelejd Alibeajt se presidenti i ri të mos ketë angazhim politik në 5 vitet e fundit.

Kjo, sipas tij, “do të thotë t’i shkosh mbrapa Ramës”.

“Dua të besoj që është naivitet politik të thuash që presidenti i ri nuk duhet të jetë në politikë në 5 vitet e fundit, do të thotë t’i shkosh mbrapa Ramës. Grupi Parlamentar i PD-së mendon që Presidenti duhet të jetë politik”.

“Shikoni në Itali, Mattarella vjen nga një eksperiencë e gjatë politike. Të gjithë mund të bien dakord për atë pensionistin me biçikletë. E gjitha kjo bën të zhvendoset vëmendja”, tha Salianji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore